Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zbuluar planin që ka bashkia për Piramidën në kryeqytet, e cila prej kohësh nuk është më funksionale.

Kreu i bashkisë tha se piramida do të kthehet në një qendër të madhe arti, ku në fokus do të ketë artistët e rinj.

Ai gjithashtu shtoi se nuk do të mungojë as pjesa zbavitëse e saj për fëmijët që duan të rrëshkasin nga lart, shkruan ‘BalkanWeb’.

I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24, Veliaj tha se bashkëpunimi me arkitektët holandezë është në proces detajimi dhe se kjo godinë do t’iu kthehet shumë shpejt qytetarëve.

“Piramida do të kthehet në një qendër e madhe arti, qendër ekspozitash, do fokusohet tek artistët e rinj. Kemi punuar me arkitektë holandezë. Arkitektët janë në një proces detajimi, se do jetë e komplikuar.

Do ta rikonstruktojmë në këtë funksion. Kemi menduar edhe një lloj shkallare, për fëmijët që duan të rrëshkasin, se dashur pa dashur kjo i ka pëlqyer atyre. Do ketë dhe një kullë vrojtimi. Projekti tjetër është kopshti zoologjik, fëmijët do kenë një hapësirë fantastike. Do jetë një xhevahir, do bashkohet me kopshtin botanik me një tunel, që tashmë është hapësirë e vdekur,” tha Veliaj.