Policia e Durrësit ka reaguar për dhunimin e Blerim Çelës, koordinatorit të LSI-së për Fushë-Krujën, që u godit pasditen e kësaj të diele.

Përmes një njoftimi paraprak për shtyp, policia informon se personat që e kanë dhunuar sot 40-vjeçarin nuk janë identifikuar ende nga ana e uniformave blu.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 dhe autorët kanë përdorur sende të forta për dhunimin e Çelës.

Sipas policisë, Çela ka qenë duke u futur në një lokal në Fushë-Krujë, kur është konfliktuar dhe goditur nga këta persona.

Njoftimi i policisë së Durrësit:

Në datë 18.06.2017, rreth orës 18:00, persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta shtetasin B.Ç. rreth 40 vjeç, banues në Fushë- Krujë, Drejtor i shkollës 9-vjeçare në Fushë-Krujë.

Shtetasi B.Ç. ka qenë duke u futur në një lokal, Bar- Kafe në Fushë Krujë kur është konfliktuar dhe goditur nga disa persona.

Shtetasi i mësipërm ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën ku po merr ndihmë mjekësore.

Me të marrë njoftim menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë po merren dëshmi nga vendngjarja, sekuestrohen pamje filmike si dhe kryhen veprime te tjera proceduriale për të zbardhur ngjarjen dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët.