Ditët e fundit ka pasur mjaft lajme rreth lojës së rrezikshme “Balena Blu”, por me sa duket ajo nuk qenka e vetmja me atë ngjyrë.

Disa peshkatarë kanë kapur një peshkaqen në brigjet e Durrësit, i cili për çudi ishte mjaft i madh. Por ajo që u ra në sy të gjithëve ishte pikërisht ngjyra blu e këtij peshkaqeni.

Peshkaqeni u kap mbrëmë dhe këto janë disa foto të bëra nga peshkatarët dhe të publikuara nga “JOQ”.

Duke u bazuar në formën dhe ngjyrën e këtij peshkaqeni, sipas “nationalgeographic”, dyshohet se kemi të bëjmë me llojin e peshkaqenit të quajtur “Maki blu” ose i njohur nga studiuesit e peshkaqenëve si “peshku silurë”.

Ky lloj peshkaqeni nuk është i zakonshëm për ujërat e Adriatikut dhe Jonit, pasi ai qëndron në Atlantikun e Veriut, por i ndikuar nga shkaqe të ndryshme, ku më të shpeshtat janë ngatërrimi i rrymave të ftohta oqeanike me ato të ngohta (çka çorienton gjallesat e oqeanit, duke bërë që të ngatërrojnë habitatet e zakonshme), duket se edhe vizitorë të tillë na janë bërë peshqesh në ujërat e deteve tona.

Pas kapjes së një peshkaqeni “Tigër” (jo i zakonshëm për ujërat tanë) vetëm disa ditë më parë pranë Kepit të Rodonit në Gjirin e Lalzit, Durrës, mbrëmë u zbulua dhe u vra nga peshkatarët kjo specie e rrallë.

“Maki blu” hyn në kategorinë e atyre që bashkë me llojin “Tigër” konsiderohen vrasës të njeriut.

“Maki blu” është një nga peshkaqenët më të shpejtë në botë dhe tërhiqet mjaft nga zhurmat, sidomos ato të motorëve të barkave, skafeve dhe  motorëve të detit. Edhe pse nuk arrin përmasa të mëdha si shumë peshkaqenë të tjerë, “Maki” mbetet majft agresiv dhe një gjahtar i përsosur i oqeaneve.