Xhensila Myrtezaj bën pjesë në grupin e atyre vajzave që për gjithë jetën kanë ëndërruar një ceremoni martese në kishë. Dhe meqenëse dasma po i  afrohet, ajo dhe Besi kanë menduar që ceremoninë e celebrimit ta bëjnë pikërisht në një vend të shenjtë. E ftuar pasditen e djeshme tek “Rudina”, për të promovuar klipin e saj të ri “Lova”, Xhensila tha se ajo gjithmonë ka dashur që martesën zyrtare ta bëjë në kishë, por për këtë, në fillim duhet të pagëzohet si e krishterë: “Unë kam dashur gjithmonë të bëj një ceremoni në kishë, por para kësaj, unë duhet të konvertohem në katolike. E kam ndier gjithmonë veten më afër këtij besimi. Edhe Besi është konvertuar në katolik. Kam preferuar kështu, sepse dua që kjo lidhje të jetë më shumë shpirtërore…” – tregon Xhensila.

Bashkë me Besin dhe Xhensilën, edhe familjarët e tyre mezi po e presin këtë moment: “Është një lumturi që po ua ofrojmë dhe ata mezi po e presin. Me të gjitha këto angazhime që kemi, ndoshta mund ta kishim lënë dasmën në një moment të dytë, por duam ta bëjmë këtë më shumë edhe për prindërit tanë.”

Dhe sigurisht edhe për ijen, Filen, Trëndafilen, gjyshen e Besit, e cila, pas dasmës, pret që shtëpia e re e Xhenit dhe Besit të mbushet edhe me fëmijë.

Ndërsa përsa i përket datës së ceremonisë, Xhesi tha se edhe atë e kanë vendosur, por duan ta mbajnë për vete. Ajo ka zbuluar ndër të tjera se nuk do të ketë një, por dy ceremoni dasme: “Janë dy ceremoni. Dasma e parë është me shoqërinë dhe miqtë tanë që kanë qenë gjatë gjithë kohës me ne dhe na kanë mbështetur në çdo hap, dhe dasma tjetër pastaj me familjet tona respektive…” – rrëfen Xhensila.

Pjesa më e bukur, ajo që po i shijon më shumë është fustani, për të cilin po bashkëpunon me stilistin e njohur Valdrin Sahiti. Po Besi? Si po e përjeton ai këtë periudhë?

Xhesi thotë se ata të dy po bëjnë bashkë çdo lloj përgatitjeje: “Unë dhe Besi jemi një, i kemi idetë e qarta dhe të përbashkëta, e kemi ndarë dhe projektuar se si do të jetë e gjitha, kështu që besojmë se do të jetë diҫka e bukur.”