Mbrëmjen e kaluar në emisionin “Fiks Fare” ka qenë i ftuar kryeministri Edi Rama. Në një intervistë ndryshe, Rama nuk ka nguruar t’i kthehet edhe me batuta, ngacmimeve të dy moderatorëve. Një pyetje hipotetike në fakt ka vënë në dilemë edhe kryeministrin, dhe ka treguar edhe një herë marrëdhënien që ai ka me PD-në dhe LSI-në.

Ramës i është kërkuar të vendosë se nëse do ishte para një zgjedhje për t’i shpëtuar jetën, Bashës apo Metës, cilin do zgjidhte.

“Të krijojmë një situatë , po bie avioni dhe ti ke një parashutë brenda në avion është Basha dhe Meta. Ti përveç parashutës tende ke dhe një tjetër kujt do t’ia japësh parashutën?”,-kjo ka qenë pyetja e moderatorëve.

Rama është menduar pak dhe ka dhënë këtë përgjigje:- "Po është e lehtë kjo, parashutën do ia jap Bashës, kurse Ilirin ( me shenja tregon që do e mbante në krahë) dhe zbresim të tre”.

Intervista e Edi Ramës në “Fiks fare”

Kemi të njëjtin kod veshje si i yti, të pëlqen?

Po , ku i gjetët?

Na i dha Basha. Urime se dje kishe 2 gëzime në një ditë! Gëzuar ditëlindjen e PS dhe gëzuar ditëlindjen e Lul Bashës.

Të na rrojë!

Tani na e thuaj troç kë festove më shumë dhe me shpirt?

Festova atë timen, por edhe për atë tonin menduam.

Tani si është kjo puna jote që ngele tërë ditën në televizorë, e ke thënë dhe vetë kujdes se mos ju dal ndonjë ditë tek frigoriferi. Ke ndonje shpjegim apo …

Rama hesht.

Mirë e pranojmë dhe heshtjen ne. Tani si të duket ky kazani ynë këtu?

Tani ju mos mendoni se keni 2 velinat dhe i shpëtuat kazanit edhe ju kazan jeni.

Si ka mundësi që je në sinkron me Bashën ça thotë Basha thua ti, ça thua ti thotë Basha. Se sikur ia merrni njëri-tjetrit batutat  dhe jam kurioz ia merr ti Bashës Apo Basha ty?

Në rastin e shushunjave unë e kisha për të tjera shushunja dhe ai për të tjera . Unë e kisha për policat gri. I njihni ju policët gri? Mos i pafshi deri në datë 25.

E dëgjuat Metën se çfarë tha mbrëmë që ju keni një kapitull i mbyllur si kryeministër.

E mbylli.

Nietzsche thotë se arma më e mirë kundër një armiku është të gjesh një  armik tjetër, kështu bëre dhe ti me Ilir Metën?

Po jo se nuk i kam armiq unë ata, as njërin as tjetrin. Ju po flisni kaq bukur dhe po flisni kaq drejtë sa kot nuk e beni dhe ju një parti me kap ndonjë gjë tek tepsia deri më datë 25.

Po ça ka ajo tepsi që e duan aq shumë?

Bëni një parti dhe …. dëgjo ju mund të bëni edhe këtë ju të dy bëni një parti, velinat të bëjnë një parti për të drejtat e njeriut se ka ngel bosh ajo e të drejtave të njeriut.

Po ç’të keqe ka të jetë në një listë edhe Dule edhe Tahiri?

E keni konsultuar me Filipin këtë e ? Ai e ka të qartë që politikisht  kjo është e papranueshme, sepse Filipi nuk gabon kurrë dhe po gaboi ai, e kemi gabim ne të tjerët.

Ju si forcë mbështeteni tek gratë, LSI tek rinia, PD tek burrat

Edhe Dulja, tek Dashi Havasë

Po cila fiton nga këto tre forca?

Fiton  Dulja, se kapi Dashin e Havasë . Edhe më e bukura është se fiton Dulja, por humbet minoriteti

"Fiksi" ka dhënë para ca kohëve përqindjen e lartë të tenderave ku fituesit janë të paracaktuar, një rast në Korçë kërkonte 90% të vlerës së tenderit, çfarë mund të na thoni?

Prandaj ju them se më duhet timoni, timonin të lutem. Timonin që mos të na futen … se pastaj rriten përqindjet. Sa do të shkosh ti 5 km, ti shko 5 km unë nuk ta prek timonin, por përqindja sa vjen e rritet. Në fund fare ngelet vetëm timoni, s’ka makinë më.

Po për Bujar Nishanin do të marrë malli ?

Çfarë nuk ndodh në jetë, çfarë nuk ndodh në jetë.

Se e di si i thonë kësaj pune, ikën nga shiu bie në breshër

Jo, jo, çadrën e kemi ne, se e ka Luli çadrën, mos ki merak. Për çdo rast Luli ka çadrën.Por sistemi që është ngritur, është krijuar si tepsi. Duhet prishur sistemi dhe pastaj  të gjithë janë njerëz të mirë. Se njeriun e prish sistemi, nuk prish sistemi njeriun.

Të krijojmë një situatë , po bie avioni  dhe ti ke një parashutë brenda në avion është Basha dhe Meta. Ti përveç parashutës tende ke dhe një tjetër kujt do t’ia japësh parashutën?

Po është e lehtë kjo, parashutën do ia japë Bashës kurse Ilirin (me shenja tregon që do e mbajë në krahë) dhe zbresim të tre.

Jeni bërë 2 çifte, nga njëra anë Romeo me Zhulietën dhe nga ana tjetër Otello me Desdemonën. Kush mendon se do t’i fitojë zgjedhjet?

Vetëm ndaj këtë, kush është Otello dhe kush është Desdemona, se që unë jam Romeo e di dhe që Luli është Zhulieta e di.

Tani Dezdemona i bie të jetë Meta , Otello është ëëë…

( Rama qesh)

Kemi një informacion, më duket se Luli se dëgjon më plakun , Berishën

Po kush e dëgjon më … Saliu flet mirë, po flet me vete. Me veten i thotë të gjitha ai, flet me vete, ia thotë vetes, vetja e dëgjon, bëhet qytetar dixhital.

Për çiftet, sesi shkojnë çiftet vendos Shekspiri, që është populli.

Po ndonjë koalicion me Bashën mund ta bësh pas zgjedhjeve?

Duhet ta pyesim popullin, Shekspiri e vendos. Ne jemi në skenë edhe … Pse kush vendos për ju, kush vendos?!

Imagjinoni sikur të shkruajë Filipi në fund të emisionit Devi dhe Dori japin dorëheqjen. Ça do bëni ju? Do jepni dorëheqjen. Do bëni parti, pastaj do i merrni Filipit drejtorinë. Po shikoni se çfarë duhet të bëni ju në momentin që e ndjeni veten të kërcënuar, tak me Denisën beni një parti të vogël dhe i merrni Filipit drejtorinë.

E zemë se të merr Luli në telefon dhe të thotë Edi unë nuk fitova, ka mundësi të bëhemi bashkë?

Po të më marrë në telefon, po çdo ketë thënë më përpara Shekspiri, populli. Se Luli tani është në atë fazën që fle, është në gjumë. Do zgjohet. Nëse do zgjohet dhe mua do të më gjejë të vrarë, ça do bëjë?

Po ti mirë e ke me Shekspirin,  por Shekspiri i vdes të gjithë personazhet në fund.

Aaa, po populli është mbi Shekspirin! Dua që t’i bëj një mesazh nga këtu shikueses më besnike të "Fiksit"  që nga dita e parë, njërës prej admirueseve të këtij institucioni të popullit, Aneta Ramës.

E shikon Neta?

Jam aty ku më ke dashur gjithmonë, tek "Fiksi" dhe nuk kam dal për keq, por kam dal për mirë.