Ashtu siç ishte parashikuar, ditët në vazhdim pritet të marrë formë dhe projekti i Teutës. Presidenti Edmond Hasanbelliu si dhe donatori Bardhi pritet të vendosin se çfarë do të bëhet me të ardhmen e ekipit. Takimi mes tyre pritet të sjellë jo pak zhvillime sa i përket të ardhmes, jo vetëm me afrimet që do të bëhen, por edhe në strukturën drejtuese.Kështu, presidenti Hasanbelliu më parë është shprehur se do të ketë një Shoqëri Aksionere, ku ndër ta sponsorë do të jetë dhe “Fiat”. Pas takimit që pritet të ndodhë këto ditë, edhe trajneri Gugash Magani do të fillojë punën për afrimin e lojtarëve që do të ketë nevojë.

Edhe pse ekipet e tjera kanë nisur tashmë me afrimin e lojtarëve te skuadra e Teutës nuk e shikojnë shqetësues këtë fakt.Trajneri Magani dhe drejtuesit i kanë idetë e qarta dhe kanë piketuar emrat që mund të afrohen me Teutën, por nuk janë bërë të ditur pasi janë vetëm në fazën e bisedimeve. Duke parë numrin e lojtarëve të larguar, atëherë edhe numri i atyre që do t’i bashkohen Teutës për sezonin e ri do të jetë i madh.Me nga dy afrime për repart është minimumi i lojtarëve që mund të afrohen. Vetë trajneri peqinas është angazhuar maksimalisht për të gjetur emrat e duhur për ekipin e tij, lojtarë që nuk merren nga emri që kanë, por nga ajo çfarë japin në fushën e blertë. Në ditët në vijim do të qartësohet gjithçka për ekipin.