Kush nuk e mban mend spikeren e njohur të lajmeve, që në fund të viteve ’90 u bë familjare me të gjithë publikun? Zëri i Vjollcës ishte zëri i darkës në çdo familje shqiptare, ndaj largimi i beftë nga ekrani nuk kaloi pa vëmendje dhe pa zhurmë.
Historitë për largimin e Vjollcës kanë qenë nga më të ndryshmet, një pjesë prej tyre edhe abuzuese për familjen Vokshi. Megjithatë, ç’ishte më e rëndësishmja, pas luftës së vitit ’97 ishte largimi përgjithmonë i Vjollcës dhe dëshira për të mos iu rikthyer më jetës në Shqipëri.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, motra e Vjollca Vokshit, ka qenë këtë pasdite e ftuar në “Rudina”, në Tv Klan dhe ka lënë mënjanë për disa minuta politikën dhe fushatën për të rrëfyer historinë e Vjollcës, për të cilën vitet e fundit është folur fare pak.
Aktualisht, Vjollca jeton në Venezuelë prej shumë vitesh së bashku me vajzën e saj 13-vjeçare Martina. Disa vite më parë, bashkëshorti italian është ndarë nga jeta, ndaj Vjollca i është përkushtuar së bijës dhe jetës që ka ndërtuar në Venezuelë.
E pyetur për arsyen e largimit nga ekrani dhe pastaj edhe nga Shqipëria, Albana tregon se në vitin ’97, kohë kur në Shqipëri kishte plasur lufta, Vjollca ishte kërcënuar me jetë: “Vjollca u largua nga profesioni pas 97-ës, madje jo vetëm ajo, por të gjithë familjarët e mi u hodhën në rrugë. Edhe motra ime e madhe Moza, mbeti pa punë…”
Sapo la TVSH-në, Vjollca në atë kohë filloi punë në radio Kontakt, e para radio në ato vite e cila u bë një zëri i vetëm me anë të të cilit qytetarët shqiptarë mund të flisnin. Siç tregon më tej Albana, edhe aty Vjollca nuk do të shihte të ardhme, sepse shumë shpejt u detyrua të largohej: “Vjollca pati shumë kërcënime, madje edhe me jetë, kështu që u detyrua të largohet për Itali, sepse qeveria e asaj kohe ushtronte presion të jashtëzakonshëm. U largua për të mos u kthyer më. Pas disa kohësh në Itali, në Bari, u zhvendos në Venezuelë. Bashkëshorti i saj italian (nuk jeton më), kishte punuar ca kohë në Venezuelë dhe kishte atje një firmë ndërtimi, kështu që kishte një pikë lidhjeje me atë vend…” – tregon më tej Albana, shkruan Class.
Edhe pse familja sot e kësaj ditë vijojnë t’i luten që të rikthehet dhe të fillojë sërish në media, si dikur, Vjollca nuk është akoma e bindur: “Ende nuk po bindet, ka preferuar të qëndrojë, sepse preferon të jetë larg mediave për aq kohë sa ta vendosë…”
Megjithatë, ikona e njohur e lajmeve e viziton të paktën një herë në vit Shqipërinë së bashku me vajzën. Dhe meqë gjysma e vitit ka kaluar, ka filluar gjysma e dytë për Albanën pa u takuar me Vjollcën, ndaj ajo i bëri një surprizë live.
Nga Aruba, vendi ku punon, shumë afër Venezuelës, Vjollca i dërgoi një videomesazh së motrës: “Kam vetëm dy fjalë admirimi për më luftaraken, më të mirën në të gjithë fushat… Jam e bindur dhe e sigurt se me karakterin që ka Albana vetëm do të ngjisë shkallë më shumë… Meriton më të mirat. Do të shihemi shpejt… “ – tha ndër të tjera Vjollca në mesazhin e saj për Albanën.
E pushtuar nga emocionet, Albana falënderoi për këtë surprizë dhe tha se dëshira e familjes është gjithmonë që ajo të kthehet në Shqipëri.