Piloti britanik i Mercedes, Lewis Hamilton, nuk i ka mbajtur dot lotët sot pasdite, kur në pistën e Montrealit ka korrur “pole position” nr.65 në karrierën e tij, duke barazuar rekordin e idhullit të tij Ayrton Senna.
“E prisja me padurim këtë 'pole'. E realizova në një pistë që më pëlqen shumë, që e dua, ndaj ky rezultat është i veçantë për mua. Dua të falënderoj familjen Senna për këtë dhuratë të mrekullueshme”, tha Hamilton, që mbante në dorë kaskën e ish-pilotit brazilian, i ndarë nga jeta.
Lideri i “pole position” në Formula 1 vazhdon të jetë Michael Schumacher, me 68 të tillë, por piloti britanik mund ta thyejë këtë rekord brenda këtij sezoni.
“Sot ishte një sfidë e bukur me Ferrari për kohën më të shpejtë, ndaj nuk më besohet që ia dola mbanë. Skuadra ka bërë një punë të jashtëzakonshme, pasi gabimet e garës së fundit në Montekarlo na janë bërë mësim dhe nuk i kemi përsëritur këtu në Kanada. Montreali është si shtëpia ime e dytë, ndaj pres një garë të mirë nesër”, u shpreh Hamilton.





