Prefekti i Qarkut të Durrësit Emiljan Jani, ka mbledhur Komisionin e Emergjencave Civile në Prefekturë për të analizuar situatën paraprake të sezonit veror, ku si rezultat i thatësirave të kohës, premisat e rënies së zjarreve janë të mëdha.

Në mbledhje u diskutua situata reale që paraqitet si dhe u hartuan plane pune parandaluese. Prefekti Jani ka kërkuar një rritje të metejshme të bashkëpunimit ndërinstitucional për evidentimin e shpejtë të vatrave të mundshme të zjarrit si dhe vënien e tyre në kontroll.

Në përballimin e emergjencave, ka vijuar prefekti Jani, duhet bërë edhe sensibilizimi i duhur i opinionit publik dhe ndërgjegjësimi për dëmet që rrjedhin nga zjarret gjatë verës. Ai vuri edhe detyra konkrete të punës së reparteve zjarrfikëse, policisë vendore, forcave te armatosura si dhe administratorëve të njësive vendore që kanë sipërfaqe të madhe pyjore.

Kreu i njësisë vendore të Ishmit Viktor Plaku, ka kërkuar që të instalohen në Gjirin e Lalzit reparte zjarrfikëse për të qenë me afër këtyre vatrave të mundshme në raste zjarri.

K.H.