Ish-futbollisti i Teutës Bruno Dita bashkohet me Skënderbeun në Slloveni, aty ku skuadra e Ilir Dajës ka nisur fazën përgatitore për sezonin e ri. Lojtari që ishte një prej përforcimeve të para të para të korçarëve në merkaton e verës vendosi të mos humbiste kohë. 24-vjeçari ndërpreu pushimet për t’iu bashkuar pjesës tjetër të grupit.

I vetëdijshëm se pritet të jetë një prej elementëve kryesorë të Skënderbeut në sezonin e ardhshëm, Dita vendosi të ambientohet sa më shpejt me skuadrën e re. Futbollisti i cili ka luajtur në të gjitha Kombëtaret e moshave të Shqipërisë u paraqit në rezidencën e bardhekuqve në Grand Sava të Roganska-s për të nisur menjëherë përgatitjet me skuadrën.

Gjatë paradites së të premtes, Skënderbeu zhvilloi edhe stërvitjen e parë në tokën sllovene, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja. Sipas zyrtarëve të klubit korçar, të vetmit që mungonin në përgatitje janë kapiteni Orges Shehi dhe mesfushori Liridon Latifi, të angazhuar me Kombëtaren, për sfidën kualifikuese në Izrael, ndërsa mbrojtësi kroat, Marko Radas do të bashkohet me grupin në orët në vijim.Ish-kampionët e Shqipërisë do të qëndrojnë në Slloveni deri më datën 22 qershor. Dy javë për t'u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e turit të parë kualifikues, ku në bazë të koeficientit të klubeve, Skënderbeu pozicionohet në zonën e lartë të vazos së ekipeve favorite dhe pritet të ketë një short të favorshëm.