Teuta ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje në merkato për sa i përket përforcimit të ekipit për sezonin e ri. Durrsakët po studiojnë tregun, ku shpresojnë që të gjejnë lojtarët që u duhen për të realizuar objektivin për edicionin 2017-2018.

Mësohet se po shikohen lojtarë nga Kosova, por edhe nga tregu vendas. Thuhet se janë disa lojtarë që po studiohen, por emrat nuk bëhen të ditur pasi nuk ka marrëveshje mes palëve. Drejtuesit po bashkëpunojnë me menaxherë të ndryshëm që mund të afrojnë lojtarë nga kampionatet më të forta, futbollistë të rinj dhe me perspektivë.

Edhe pse janë larguar shumë lojtarë, ende nuk ka afrime zyrtare në skuadër. Trajneri Magani duhet të formojë ekipin nga e para dhe kjo nuk do të jetë hera e parë, pasi ka eksperienca të tilla me Tiranën, Teutën apo edhe Flamurtarin. Me njëmbëdhjetë largime zyrtare drejtuesit po punojnë fort për të kompletuar ekipin, në mënyrë që lojtarë e rinj të kenë kohën e duhur për t’u përshtatur dhe për të pasur pothuajse të kompletuar skuadrën në fazën përgatitor. Pavarësisht se nuk ka emra konkretë, drejtuesit dhe trajneri Magani nuk janë me pushime, por po punojnë për afrimin e lojtarëve cilësorë në Durrës.