Departamenti i Administratës Publike ka kthyer në detyrë Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxhaj, një ditë pas pezullimit nga ana e ministrit Gazmend Bardhi.
 
Në shkresën e cila mban firmën e drejtores së DAP, Albana Koçiu, thuhet se “veprimtaria e Sekretarit është konform ligjit”, duke refuzuar kështu kërkesën e Ministrit.
 
Në shkresën e DAP theksohet gjithashtu se urdhri i pezullimit është tejkalim i kompetencave i ministrit të Drejtësisë.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxhaj, ka arritur kështu të fitojë betejën ndaj ministrit teknik të PD-së i cili më shumë se njëherë ka kërkuar pezullimin e saj nga detyra.
 
Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi kërkoi pezullimin e Hoxhës me pretendimin se ka shprehur papajtueshmëri në lidhje me disa urdhra kontrolli të lëshuara nga ministri në lidhje me institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për praktikat e ndjekura të cilat po bëhen shkak për keqpërdorim të burimeve njerëzore dhe logjistike të burimeve njerëzore.
 
Juliana Hoxhaj kandidon edhe për deputete në zgjedhjet e 25 qershorit si përfaqësuese e listës së Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës. Ky ka qenë një tjetar argument i përdorur nga ministri teknik i PD për pezullimin e saj nga detyra.