Mungonte vetëm zyrtarizimi, që erdhi i përpiktë nëpërmjet kanaleve zyrtare të Olympiakosit. Klubi nga Pireu prezantoi Besnik Hasi-n si trajnerin e ri të skuadrës, me të cilin synon të vijojë dominimi në futbollin grek, por edhe ti japë skuadrës lavdi në kupat e Europës. Tekniku shqiptar dhe drejtori i ri sportiv, Ousigios u prezantuan nga zv.presidenti i skuadrës, Vrentzos, me ish-kapitenin e Kombëtares që nuk e fshehu ngazëllimin për besimin e dhënë nga klubi i Olympiakosit.Besnik Hasi-Bisedimet nisën javën e kaluar dhe sapo formalizuam marrëveshjen. Jam i lumtur që u emërova te Olympiakos. Kam ardhur këtu kur drejtoja Anderlechtin dhe e njoh atmosferën. Në atë rast lojtarët e mi u trembën. Jam i nderuar që kam besimin e presidentit drejt një objektivi të rëndësishëm, siç është kualifikimi në grupet e Champions.
Kjo është arsyeja përse më zgjodhën. Kam eksperiencën e duhur si lojtar e trajner dhe do t’ia arrij qëllimit.Gjatë prezantimit, 45-vjeçari nga Gjakova u shpreh se e njeh skuadrën dhe lojtarët, ndërsa në punën me bashkëpunëtorët e tij, mes të cilëve edhe Darko Kovaçeviç do të përqendrohen edhe te promovimi i talentëve të Akademisë.Besnik Hasi-Synimi është të ndërtojmë një skuadër agresive, që praktikon futboll të bukur dhe ti japim mundësi të gjithë lojtarëve, duke përfshirë edhe talentët e rinj. Futbolli sulmues dhe dominimi në fushë janë pjesë e filozofisë time. Na duhet të gjejmë sa më shpejt lojtarët e duhur, edhe pse në futbollin modern nuk është e thjeshtë. Ndeshjen e parë në kupat e Europës e luajmë më 26 ose 27 Korrik dhe deri atëherë do të jemi gati.Olympiakosi është skuadra e tretë në karrierën e Besnik Hasit si trajner, pas belgëve të Anderlechtit dhe polakëve të Legia Varshavë. Sipas kontratës 2-vjeçare në Pire, gjakovari do të përfitojë pagë rreth 1,2 milionë euro, ndërsa marrëveshja parashikon edhe një klauzolë rinovimi nëse rezultatet do të jenë të larta.