Në kuadër të fushatës elektorale, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidaten për deputete Klodjana Spahiu zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 17 në qytetin bregdetar.

Dako u shpreh i bindur se mbështetja e qytetarëve për Edi Ramën do të përkthehet në një votë të fuqishme për Partinë Socialiste më 25 Qershor duke ftuar të votojnë numrin 2 në fletën e votimit.

Kryebashkiaku Dako bëri të ditur se për këtë zonë janë parashikuar të tjera investime të cilat do të nisin shumë shpejt, siç është zgjerimi i rrugës “Dalip Peza” pranë ujësjellësit dhe ndërtimi i rrugës “Abdyl Ypi”.

“Me mbështetjen e qeverisë, Bashkia e Durrësit ka bërë punë shumë të mëdha. Këto ditë është lidhur kontrata, do të fillojë nga puna zgjerimi i rrugës “Dalip Peza”, njëkohësisht edhe ndërtimi i rrugës së re “Abdyl Ypi” në lagjen 17 pranë Sigurimeve Shoqërore. Këto janë investime të kryera drejtpërdrejt nga paratë e Bashkisë së Durrësit dhe jam i bindur që gjithë kësaj zone do t’i japë një cilësi jetese më të mirë, do të kemi mundësi qarkullimi më mirë për mjetet, por nga ana tjetër falë këtij investimi të zgjidhim problemin e përmbytjeve në këtë zonë sepse do të shtrijmë tubacione të reja, do të riparojmë stacionin e pompimit për t’i lidhur këto me hidrovorin për të përmirësuar sa më shumë situatën e sistemit të kanalizimeve”, theksoi Dako.

Kandidatja Spahiu u shpreh se banorët e lagjes numër 17 do të mbështesin Partinë Socialiste, siç bënë edhe në vitin 2013, për të vijuar me reformat e nisura nga qeveria 44 muaj më parë. “Në katër vite kemi parë përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë kryeministri ynë Edi Rama për t’ia ndryshuar faqen Shqipërisë. Unë shpresoj shumë që ne e kemi mbështetjen, sidomos të lagjes 17, siç e kemi patur gjithmonë, siç e kemi patur në 2013-n, siç e patëm në 2015-n dhe shpresoj që në 2017-n ne do të arrijmë objektivin tonë”, u shpreh Spahiu.