Pasioni për lojën më të bukur në botë, fatkeqësisht u ka marrë jetën edhe shumë kampionëve.

Ata që kanë bërë sakrifica e që kanë lënë mënjanë shumë gjëra për t’iu përkushtuar topit dhe fushës, sa shpeshherë kanë anashkaluar edhe anomalitë e tyre fizike, të cilat fatkeqësisht më pas i kanë detyruar që të ndërrojnë jetë. Këto janë tragjedi, drama që nuk duhet të ndodhin, por tashmë rastet janë bërë shumë dhe i fundit është Sheik Tiote, i cili ra viktimë e një arresti kardiak, teksa stërvitej në Kinë, për skuadrën e Beijing Enterprajsis, klub që militonte në kategorinë e dytë.Gjithsesi, në të kaluarën raste ka pasur shumë, si Gregori Mertens në vitin 2015, vetëm 24-vjeçar, i cili ndërroi jetë në fushë, pas një miqësoreje mes rezervave të Lokerenit dhe Genkut.Piermario Morozini në vitin 2012 vdiq në fushë gjatë një ndeshjeje të Serisë B, Livorno-Peskara, një pakujdesi fatale, pasi në stadium mungonte defibrilatori. Lista vazhdon me Naoki Matsuda (2010, problem kardio-respirator), apo akoma më parë Daniel Harke, ikonë e Espanjolit.E madhe ishte edhe humbja e Antonio Puertas (vitin 2008), i cili u shtri në fushë në një sfidë SevijaGetafe, për të mos i hapur më sytë kurrë.Tragjeditë vazhdojnë me Fill O’Donëll, i goditur nga infarkti në fushë (Motheruell 2007), Davide Di Tomazo (2005, Utreht), apo edhe Miklos Feher, në 2004-ën, me mesfushorin e Benfikës që u nda nga jeta në fushën e lojës, në minutat finale të ndeshjes me Guimareshin, me “shqiponjat” që vendosën më pas ta nderojnë me tërheqjen e numrit 29.

E dhimbshme dhe lista është shumë e gjatë, por pavarësisht dramës, loja e futbollit vazhdon, jeta vazhdon dhe kujtimi i gjithë këtyre sportistëve fantastikë do të mbetet përjetë i gjallë…