Pas Elvir Malokut, edhe Taulant Seferi është gati për të luajtur me Kombëtares Shpresa në ndeshjet zyrtare, të kualifikueseve të Europianit 2019. FIFA aprovoi kërkesën e vetë futbollistit dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, që Seferi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi. Leje-kalimi ishte i nevojshëm, sepse në të kaluarën mesfushori i lindur në Kumanovë kishte luajtur me përfaqësueset e moshave të Maqedonisë.

Departamenti i Statusit të Lojtarit në selinë e FIFA-s dha “dritën jeshile” që 20-vjeçari të luajë prej ndeshjes së parë kualifikuese të Shpresave në Kampionatin Europian, të hënën më 12 Qershor përballë Estonisë në “Elbasan Arena”.Vetëm pak ditë pasi u pajis me pasaportën shqiptare, Taulant Seferi ka debutuar me Kombëtaren e 21-vjeçarëve gjatë muajit Mars, në dy miqësoret e luajtura përballë Moldavisë. Lojtari i Young Boys në superligën zvicerane është një përforcim i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi dhe një alternativë më tepër për manovrat sulmuese të skuadrës.