Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Roland Xhelilaj dhe Kliodiana Spahiu zhvilluan një takim me banorët e Sukthit.

Dako tha se të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha të bëra gjatë mandatit të parë qeverisës duke theksuar se reformat e ndërmarra u shtrinë në të gjithë sektorët ku kishte nevojë për ndërhyrje.

Më tej, Dako kërkoi mbështetjen e banorëve të zonës së Sukthit për një mandat të dytë qeverisës të Partisë Socialiste për të pasur më tepër punë, mirëqenie dhe një shtet që të gjithë e duan. “Në kërkojmë dhe një mandat të dytë për të bërë akoma më tepër punë për Shqipërinë që duam, për një mirëqenie më të mirë, për një shtet të së drejtës, për punë për të gjithë, për fëmijët e gjeneratës së re”, theksoi Dako.

Nga ana e tij, kandidati për deputet Roland Xhelilaj kërkoi votën e banorëve me besimin se mandatin e parë janë bërë gjëra të mira, por mandati i dytë do të jetë edhe më i suksesshëm. “Ne vijmë sot këtu te ju për t’ju kërkuar votën me besim se kemi bërë mirë dhe do bëjmë akoma më mirë. Për tre vjet e gjysmë ndryshimet janë kolosale”, nënvizoi Xhelilaj.

Ndërkohë, kandidatja Spahiu u shpreh se “në këto katër vite të ardhshme shpresoj shumë që çdo familje shqiptare do të ndjejë më pranë frytet pozitive të këtyre reformave”.