Tom Doshi deklaroi një ditë më parë, se ai do të fitojë tri mandate deputetësh në Shkodër, dhe ato do të jenë në mbështetje të Edi Ramës.

Menjëherë pas kësaj deklarate, ka reaguar koordinatori i PS-së për Qarkun e Shkodrës, Ditmir Bushati, i cili ka thënë se vota për Partinë Socialiste nuk ka pse ngatërrohet me thirrje që vijnë nga individë partiash. Bushati i tha banorëve të Vaut të Dejës se bamirësit janë në fondacione bamirësie. “Kishat dhe xhamitë i bëjnë institucionet fetare”, u shpreh Bushati.

“Më datën 25 ka vetëm një zgjedhje për ne dhe ky është Edi Rama me Partinë Socialiste, numrin dy. Ne nuk kemi nevojë as për mik, as për kandidatë të tjerë që dalin lart e poshtë nëpër televizion që thotë na i jepni votat ne, se edhe ne do të mbështesim Edi Ramën. Por po të ishte puna kështu nuk do të ishim në parti të ndryshme, do të ishim të gjithë në të njëjtën parti. Nuk kemi nevojë as për me dëgju parti të tjera që vijnë me forma të tjera me penetru, edhe këtu, ne kemi parë në fund të ditës së çfarë kanë bërë. Bamirësit janë në fondacione bamirësie, kishat dhe xhamitë i ndërtojnë institucionet fetare. Unë kam përshtypjet se kjo zonë ka të drejtë për të zgjedhurit e tyre”, ka thënë Bushati në Vaun e Dejës.