Kjo është Sara Zelenak, fotografia e së cilës përgjatë gjithë këtyre ditëve mbushi faqet e mediave, me shpresën se ishte ende gjallë. Fatkeqësisht, këtë të mërkurë autoritetet britanike konfirmuan se 21 – vjeçarja nga Australia, është një prej viktimave të sulmit terrorist në Londër.

Të afërmit e saj u shprehën të hidhëruar për humbjen tragjike të Sarës, të cilën e përshkuan si një vajzë të qeshur e plot jetë. 21 – vjeçarja nga Brisbane, punonte si dado në Londër. Mbrëmjen e sulmit ajo kishte dalë me një mikeshë për darkë.

Gjatë ditës së sotme, autoritetet njoftuan gjithashtu se numri i viktimave ka shkuar në 8.

Ministria spanjolle tha për BBC se Ignacio Echeverria 39 – vjeç, i cili po përpiqej të mbronte një grua, mbeti gjithashtu i vrarë në sulmin e së shtunës. Ai punonte në bankë. 39 – vjeçari mësohet se përdori skateboard kundër një prej xhihadistëve, që po godiste me thikë një grua.

Policia, e cila ishte në kërkim të francezit Xavier Thomas, 45 – vjeç, nxorri trupin e tij të pajetë nga lumi Tamis.

22 – vjeçarin Youssef Zaghba, me kombësi marokeno – italiane që jetonte në lindje të Londrës, Khuram Butt, 27 – vjeç nga Barkin dhe Rachid Redouane, 30 – vjeç, i cili gjithashtu jetonte në Barking, mbrëmjen e së shtunës u futën me furgon në trotuar në Urën e Londrës përpara se të drejtoheshin në tregun Borough, e të godisnin me thika njerëzit që ndodheshin aty.

29 persona mbeten ende në spitalet e Londrës, 10 prej të cilëve ende në gjendje kritike.