Besnik Hasi tek Olimpiakosi është fakt i kryer dhe sot ose maksimumi nesër, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin gjigant të Greqisë. Mediat helene i kanë bërë një jehonë të madhe zgjedhjes së Olimpiakosit për të vënë në krye një trajner shqiptar. Një pjesë e mirë e të përditshmeve greke kanë paragjykuar Hasin, duke mbajtur qëndrime jo pozitive. Fakti që klubin më të madh grek do ta drejtojë një trajner me origjinë nga Kosova, ka bërë që mediat në shtetin fqinj të nisin menjëherë “sulmin” ndaj gjakovarit. Portali “gazzetta.gr” ka zbuluar se 45-vjeçari kosovar do të përfitojë 1.2 milionë euro për një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimi.

“Agjenti i Hasit, Fali Ramadani, ka bindur presidentin e Olimpiakosit për të vendosur në krye të të kuqve trajnerin shqiptar. Pritej rumuni Razvan Luçesku ose portugezi Pedro Martins, por Olimpiakosi i besoi verbërisht shqiptarit”, shkruante dje portali grek. Por, për të njohur më shumë Hasin, mediat në Greqi kanë marrë prononcime të opinionistëve të njohur në Belgjikë, kryesisht atyre që janë më afër klubit të Anderlehtit, ku Besniku fitoi gjithçka si trajner dhe si lojtar.Në fakt, pas largimit nga Anderlehti te Legia e Varshavës, Hasi nuk ka folur kurrë për mediat belge. Gjithçka lidhet me prapaskenat e largimit të tij nga Anderlehti, ku Hasi ka hezituar t’u përgjigjet gazetarëve belgë, të cilët tentuan të bindin trajnerin për të folur, duke shkuar edhe në apartamentin e tij të përkohshëm në Poloni, kur Besniku drejtonte Legian e Varshavës një vit më parë.“Unë jam i habitur që Hasi ka firmosur me Olimpiakosin”, deklaronte Bob Fesen, gazetari i gazetës belge, “Belang van Limburg”.

Ky i fundit shpjegon për mediat greke pse ka mbetur i befasuar nga zgjedhja e Olimpiakosit. “Hasi në Belgjikë ka punuar me ekipe me më pak prestigj se Olimpiakosi. Në marsin e kaluar, ai ishte pranë marrëveshjes me klubin Kortraik. Është një djalë i këndshëm, por sezoni i fundit në Anderleht nuk ka qenë një sukses i madh.Edhe pse ishte një legjendë për klubin, tifozët kërkuan largimin e tij. Futbolli i Anderlehtit nuk ishte tërheqës dhe i mungonte stabiliteti. Hasi u kritikua nga shtypi belg, ndërsa më pas shkoi te Legia e Varshavës. Edhe në Poloni nuk pati sukses. Skemat e tij të preferuara janë 4-3-3 dhe 4-2-3-1”, citonte gazetari belg, i cili është ndoshta njëri prej atyre që Hasi e ka refuzuar për t’i dhënë sqarime pas largimit nga Anderlehti. Tashmë mbetet për t’u parë se si do ta presin Hasin tifozët e Olimpiakosit.