Kryetari i komanduar i PD-së në Durrës, Oerd Bylykbashi, përmes një njoftimi në Facebook, u bën të ditur demokratëve të qytetit bregdetar, se nesër në orën 19.30, kreu i PD-së, Lulzim Basha do të bëjë çeljen e fushatës në qytetin bregdetar, prezantimin e kandidatëve dhe programit të partisë më të madhe opozitare.

Vendi që është përzgjedhur nga demokratët duket se do të përcjellë edhe një mesazh domethënës, meqë mitingu hapës do të mbahet tek monumenti i Rezistencës.

Duke nënvizuar këtë simbolikë, Bylykbashi shprehet se “nesër ne ora 19.30, nga sheshi i monumentit te Rezistences fillon rrezimi nga pushteti i klikes PS-LSI dhe mafies se pushtetit ne Durres dhe gjithe Shqiperine”.

Por duket se përveç simbolikës, vendi është përzgjedhur me kujdes nga demokratët edhe për një arsye tjetër. Lista e PD-së u prit me reagime negative nga baza e PD-së në Durrës.

Shëtitorja "Taulantia" është vendi më i frekuentuar në Durrës në fashën kohore kur do të mbahet mitingu dhe organizatorët e tij kanë menduar se mund të mbledhin më tepër njerëz, qoftë edhe nga durrsakët që do të shfrytëzojnë mbrëmjen e së shtunës për një xhiro buzë detit.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Sali Berisha, kryetari Basha duket pak i tërhequr nga qyteti i Durrësit. Në fushatën e 4 viteve më parë, ish-kryeministri Berisha ishte të paktën një herë në 3 ditë në qytetin bregdetar, ndërkohë që Basha është shumë pak prezent, qoftë edhe për të mobilizuar bazën dhe seksionet e PD-së, që i ka zënë apatia në kohë fushate.

Njoftimi i Bylykbashit

Bashkohuni me ne te shtunen date 3 qershor, ora 19.30 tek monumenti i Rezistences, shetitorja buzedetit

Miq durrsake, anetare te PD dhe pa parti, te gjithe ju qe refuzoni arrogancen e pushtetit te PS dhe LSI, vjedhjen e pasurive publike, krimin dhe korrupsionin qe kjo qeveri ka ngritur ne piedestal

Jeni te ftuar ne mitingun qe organizon Partia Demokratike ku Kryetari Lulzim Basha, kryeministri i ardhshem, prezanton kandidatet per deputete per Durresin dhe programin e Partise Demokratike.

Neser ne ora 19.30, nga sheshi i monumentit te Rezistences fillon rrezimi nga pushteti i klikes PS-LSI dhe mafies se pushtetit ne Durres dhe gjithe Shqiperine.