Cardiff-i merr frymë me finalen e Champions-it. Ulja e 40.000 tifozëve të Real Madridit dhe Juventusit do të përballet me mungesën e infrastrukturës së akomodimit. 1,417 euro kërkohej dje një dhomë hoteli. Çmimi mesatar është rritur 900%! Kampet (çadrat) e ngritura në Cardiff janë shpresa e fundit për tifozët me më pak lekë në xhep, apo të tjerë që nuk kanë dëshirë të paguajnë çmime stratosferike në hotele dhe apartamente private. Një shtëpi për gjashtë njerëz, në periferi të qytetit, theu rekordin, pasi jepej me qera këtë fundjavë për 14,998 euro. Kampingu me çadra ka marrë një fluks të madh tifozësh. 

“Ne kemi rezervuar pothuajse kapacitetin e plotë, teksa 51% e kërkesave janë nga tifozët e Juventusit. Pjesa tjetër është popull i Madridit,” – thotë Tessa, një nga ata që janë përgjegjës. Edhe pse kamp me çadra, çmimi shkon sa në një hotel me pesë yje. Kalimi i natës për një person aty kushton 150 paundë (172 euro). Në një çadër mezi përshtaten dy shtretër. Çështja kryesore është dhënia e pijeve. Birra kushton 3.50 paundë, teksa organizatorët duken të shqetësuar në parandalimin e ekseseve të mundshme. “Ne kemi forcuar sigurinë, por nuk jemi të shqetësuar. Tifozët italianë dhe spanjollë kanë tendencë për t’u sjellë mirë, – thotë Tessa, e cila përfundon: – Ne jemi shumë më keq si britanikë”. Ja pra ç’bën futbolli, Cardiff-i është epiqendra e botës këtë fundjavë.