Pas marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe futjen e opozitës në zgjedhje, ka patur reagime nga më të ndryshmet. Po kështu, ka patur edhe opinione të ndryshme që kanë ngritur dyshimin se pas 25 qershorit do të ketë një qeverisje PD-PS.

Në emisionin “Opinion”, kryeministri Rama nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje, por ka theksuar edhe njëherë se synon të ketë i vetëm timonin e qeverisjes. Sakaq, Rama ka shtuar se me cilët vijohet rruga e qeverisjes, është një tjetër çështje.

“E rëndësishme është qe ne të kemi timonin të vetëm. E them këtë për të mos patur në timon duar të tjera që të ngadalësojnë, të ndalojnë, të bëjnë manovra. Është një hall i madh për mua dhe për PS që të mos ia dalim të bëjmë gjëra që mund të bëjmë, për shkak se mund të mos i përshtatemi numrave në Parlament”, tha kryeministri Rama.

Fevziu: A do qeverisni në një koalicion me bazë të gjerë?

Rama: Këtë e vendosin qytetaret. Ne e duam të vetëm timonin e qeverisjes. Por këtë e vendos 25 qershori. Dhe 25 qershori duhet të jetë kuqezi. Unë ëndërroj që flamurin tonë ta vendosim në oborrin e BE.