Ish-kryetari i degës lokale të PD-së Durrës dhe deputeti i Kuvendit, Igli Cara, mbeti jashtë listave të selisë blu, të hartuara nga kryetari Lulzim Basha.   

Ndryshe nga shumë kolegë të tij deputetë, Cara zgjodhi të mos reagonte për mbetjen jashtë listave.

Gjithsesi duket se ai nuk është larguar nga politika aktive. Në një takim të zhvilluar sot në Manzë të Durrësit, nga kreu i PAA, Agron Duka, i renditur i 5-ti në listën e PD, shfaqet edhe Igli Cara.

Në fotot e siguruara nga DurrësLajm, deputeti Cara ka shoqëruar në këtë takim aleatin e PD-së, Dukën, duke shprehur mbështetjen për këtë të fundit dhe për të kërkuar votën e elektorantit të djathtë.

Nëse Cara do të vijojë të mbetet aktiv deri në fund të fushatës zgjedhore kjo mbetet për t’u parë.

Cara e drejtoi për disa vite me rradhë degën lokale të PD-së në Durrës dhe është etiketuar gjithnjë si një nga mbështetësit e të ndjerit Sokol Olldashi.