Ndërsa fushata elektorale ka nisur anekënd vendit, lajmet për kalimin e deputetëve ose zyrtarëve të lartë të partive sa nga një krah politik në tjetrin nuk kanë të ndalur.

Lëvizja më e fundit politike vjen nga Kavaja, ku burime për DurrësLajm konfirmojnë se nënkryetari i degës së LSI-së për Kavajën, Parid Xhihani, ka deklaruar se i është bashkangjitur PS-së.

Deklarata e Xhihanit është bërë gjatë një takimi elektoral, ku po prezantohej kandidati i PS-së për kryetar bashkie, Dorian Murati.

I pranishëm në takim ishte edhe i deleguari i PS-së në Kavajë, Arben Ahmetaj. Xhihani ka mbajtur gjatë mandatit të Elvis Rroshit edhe postin e nënkryetarit të bashkisë së Kavajës, si rezultat i bashkëqeverisjes PS-LSI. Ndërkohë, në zgjedhjet e 2013, ai garoi për një mandat deputeti, i përfshirë në listën e LSI.

Kujtojmë se në Kavajë, fushata elektorale është edhe më e nxehtë, për faktin se aty nuk garohet vetëm për zgjedhjet parlamentare, por edhe për mandatin e kryebashkiakut, vend që ka mbetur bosh pas largimit të kryetarit Elvis Rroshi.

Ndërsa dy ditë më parë, në një takim elektoral të LSI-së, në Shkallnur të Durrësit, deputeti i PS-së Shkëlqim Troplini u shfaq në krah të kandidatëve të LSI-së, Lefter Koka dhe Flamur Gjuzi.