Nga qyteti i Fierit ku prezantoi kandidatët për deputetë, kreu i PD-së, Lulzim Basha ftoi në një debat televiziv kryeministrin dhe njëherësh kreun e PS-së Edi Rama për të shpalosur programin dhe më pas qytetarët të vendosin me votë.
“Sonte e ftoj këtu nga Fieri për një debat televiziv me kandidatin për kryeministër të republikës së re. Edi Rama mund të shëtisë në Shqipëri duke treguar barcaleta, por nuk i çon dot 4 javë me barcaleta, eja në debat, bëj bilancin tënd, unë bilancin tim. Ti programin tënd unë programin tim dhe qytetarët të vendosin me votën e tyre. Ftesën e bëra publike, po nuk e pate dëgjuar po ta nis dhe me shkrim. Por tani do ta them unë pse nuk vjen të shpjegojë, të japë llogari. Ndonjë punë edhe e ka bërë. Unë vetë i kam parë palmat me sy, ti thua asgjë. Mijëra palma, palma dhe fasada bosh”.
Sipas Bashës, në fushatë do të ketë truke nga kundërshtarët politikë me qëllim për të hequr vëmendjen nga problemet.
“Në fushatë do të ketë fishekzjarre, do të ketë truke, do të ketë gjeste dhe batuta që i ka shumë qejf Edi Rama, vdes për batuta, e dini ju. Të gjitha këto kanë një qëllim, të heqin vëmendjen e qytetarëve nga çështjet kryesore që shtrohen për zgjidhje. Republika e vjetër u shpalos më në fund, e nxori fytyrën e vërtetë, është një komplot i një grushti politikanësh që e përdori politikën siç e do vetë Edi Rama si lojë shahu, dhe qytetarët si gurë shahu”, tha lideri i opozitës.





