Sazan Guri, një prej emrave të njohur nga opinioni publik, i përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, ka vendosur të tërhiqet nga gara.

Menjëherë pas publikimit të listës, ku ambientalisti Guri ishte renditur te kandidatët për deputetë të Beratit, ai thotë se nuk mund të jetë në një vend me ata që e shohin parlamentin si vend për t’i dhënë punë vetes dhe të rrisin bizneset. Sipas tij, në Shqipëri fati ende vazhdon të mos jetë me njerëzit e dijes.

STATUSI I SAZAN GURIT

Miq dhe dashamires,

Falënderimi im qëndron për të gjithë ju që s’keni reshtur me dëshirën e mirë për të më uruar, me pretendimin e madh për të qenë pjesë e zgjidhjes së atyre çështjeve që deri sot i kemi bërë nga jashtë dhe nesër e tutje mund t’i bënim nga brenda. Por, fati në Shqipëri ende nuk vazhdon të jetë me njerëzit e dijes, megjithëse guxuam të ishim pjesë e politikave për mbrojtjen e të pambrojturve dhe jo pjesë e politikave për të bërë biznes. Do e falja një figurë politike para njerëzve të mendimit, por s’mund të vazhdojmë më me ata që e shohin parlamentin si vend për t’i dhënë punë vetes dhe jo të tjerëve, si vend që rrisin bizneset dhe fitojnë, paçka që të tjeret humbasin. Në keto kushte, as nuk e gjej dhe as nuk e krahasoj veten, ndaj vendosa të tërhiqesha zyrtarisht nga kjo garë. Me shpresë se kohë më të mira do të vijnë, uroj që zgjedhjet dhe parlamenti i ri të eci mbarë!

Me respekt

Sazan Guri