E publikuar një ditë më parë, lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike ngjalli reagime të shumta.
Reagime pati nga ana e deputetëve aktualë që mbetën jashtë liste (disa ishin figura themeluese të PD-së), nga anëtarësia dhe mbështetësit e partisë më të madhe opozitare si dhe nga kundërshtarët politikë. Edhe vetë kryeministri Rama nuk e la pa komentuar listën e prezantuar nga rivali i tij politik, Lulzim Basha.
Por përtej komenteve dhe reagimeve të deputetëve që mbetën jashtë liste, i një rëndësie të veçantë është reagimi i bazës së PD-së, pasi janë anëtarët dhe mbështetësit që do t’u drejtohen kutive të votimit, për të hedhur votën e tyre.
Në Durrës, lista e kandidatëve me 8 emra u prit me reagime negative nga baza e PD-së. Në ndryshim nga lista e vitit 2013, në të kanë “mbijetuar” vetëm Oerd Bylykbashi, kreu i komanduar i PD-së lokale, dhe Agron Duka, i përfshirë këtë herë në listën e PD-së, ndërkohë që në 2013 fitoi mandatin e deputetit nën siglën e Partisë Republikane, që ishte në koalicion më PD.
I humburi i vetëm nga deputetët aktualë është Igli Cara, i cili nuk është përfshirë në listë (kujtojmë se deputetët e tjerë të Durrësit, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri janë në listën e Tiranës, ndërsa Eduart Halimi kryeson qarkun e Beratit).
Cara, i njohur si mbështetës i të ndjerit Sokol Olldashi, ka zgjedhur të reagojë në heshtje. Të paktën deri tani… Ndryshe nga kolegët e tjerë të tij të mbetur jashtë, që ose shprehën indinjatën e tyre ndaj listës së Bashës, ose uruan kandidatët e përfshirë në lista, Cara ka postuar në profilin e tij në Facebook vetëm një urim për besimtarët muslimanë, që nisin muajin e madhërueshëm të Ramazanit.
Heshtja e Carës mund të interpretohet edhe si një indinjatë e pashprehur e ish-kreut të degës së PD-së në Durrës, i cili gëzon reputacion në rradhët e demokratëve durrsakë.
Por përtej lënies jashtë liste të Carës, që u nënvizua nga komentet e shumë mbështetësve të PD-së në rrjetet sociale, (lexo këtu) ajo që shqetëson mbështetësit e PD-së dhe opozitës në Durrës është fakti se ata nuk ndihen të përfaqësuar nga emrat e përfshirë në listë.
Oerd Bylykbashi, kreu i komanduar i PD-së lokale dhe njëkohësisht kryesuesi i listës së Durrësit dhe një nga të besuarit e Bashës, pak herë e ka ngritur zërin për shqetësimet e komunitetit durrsak. I angazhuar në kauzat kombëtare të PD-së si Vettingu, Dekriminalizimi etj, Bylykbashi ka ngritur zërin vetëm në fillim për projektin “Veliera” dhe më pas është fokusuar në kauzat e kryetarit të tij, Lulzim Bashës.
Ndërkohë Agron Duka, megjithëse është një figurë me reputacion dhe njohje të gjerë në qytetin e Durrësit e Shijakut, nuk duket se u thotë shumë demokratëve të qytetit bregdetar. I angazhuar në fillim në politikë si deputet i PS-së dhe më pas i tërhequr nga politika aktive, pasi u mund në përballjen e drejtpërdrejtë me Sokol Olldashin, Duka u rikthye sërish rreth 4 vite më parë, kur kryesoi listën e Partisë Republikane në Durrës. Ai mbështeti kauzën e Lulzim Bashës, për t’u mbyllur në “Çadrën e lirisë” dhe për të mos marrë pjesë në zgjedhje, por siç tha me të qeshur në një emision televiziv: “Vetëm nja dy herë kam shkuar tek çadra”.
Duke parë gjendjen ku është katandisur PD-ja në Durrës, marrja e një mandati nga Duka, i pozicionuar i 5-ti në listë duket disi një mision i pamundur për demokratët. Në një kohë, kur Dako e ka rritur pritshmërinë e tij nga 7 në 8 deputetë të sigurt të PS, dhe ndërsa LSI po lufton fort për të mbledhur votat jo vetëm të elektoratit të saj, por edhe të të pakënaqurve nga të gjitha krahët e politikës, PD-ja në Durrës ka “hyrë në ujë”.
Dy emrat e tjerë të katapultuar në listën e PD-së së Durrësit nga kryetari Basha, Edi Paloka dhe Florion Mima, nuk u thonë asgjë demokratëve durrsakë, që i njohin vetëm si figura të spikatura politike të PD-së ndër vite.
E vetmja femër në listën e PD-së, pedagogia Fatbardha Kadiu, bijë e një familje të njohur në Durrës dhe e angazhuar në karrierën akademike, është njëkohësisht e vetmja kandidate në listë, e pa provuar në politikë. E pozicionuar në një vend që i garanton një mandat deputeti, Kadiu ndoshta mund të jetë një shpresë për demokratët e Durrësit për të sjellë një zë ndryshe dhe për të ngritur në foltoren e Kuvendit shqetësimet e komunitetit durrsak, por deri atëherë duhet pritur e shpresuar…
Humbja e turpshme e Grida Dumës përballë Vangjush Dakos në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë i kushtoi postin kryetarit të atëhershëm të PD-së, Osman Stafës. Ajo që duket se do të jetë një humbje e paralajmëruar e PD-së në Durrës, nuk mendohet se do t’i faturohet Oerd Bylykbashit, i cili është kryetar i komanduar, e për më tepër gëzon mbështetjen e plotë të Bashës, si një nga të besuarit e tij. Humbja mund të jetë përgjegjësi direkt e kryetarit Basha, që hartoi listën e PD-së për qarkun e Durrësit.
Gjithsesi, humbësit e vërtetë do të jenë anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, disa prej të cilëve deklaruan në mënyrë demostrative se do të hidhnin teserat e partisë, pasi nuk ndihen të përfaqësuar.
Në vitin 2005, demokratët e qarkut të Durrësit realizuan një fitore 8 me 0 në sistemin mazhoritar, kundër rivalëve të tyre të PS, që përfaqësonin qeverisjen socialiste Nano, të konsumuar pas një 8-vjeçari në pushtet.
Në vitin 2017, kur qeverisja Rama ka shkaktuar shumë pakënaqësi që në mandatin e saj të parë qeverisës, madje edhe brenda rradhëve të socialistëve, demokratët e qarkut të Durrësit, në rastin më të keq mund të marrin vetëm 4 deputetë.
Megjithëse e thënë nga rivali politik, duket se ironia e Ramës për opozitën i shkon më së miri degës lokale në Durrës: “Vajmedet PD…”





