Ndarja e parakohshme nga jeta e deputetit të LSI-së Gjovalin Kadeli ka prekur thellë kolegët e tij të partisë, shumica e të cilëve kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale.

Një nga emrat më të evidentuar në LSI dhe kreu i listës së LSI-së në qarkun e Durrësit, Lefter Koka, ka shprehur gjithë dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të mikut në një mesazh mjaft të ndjerë.

“Nuk kam fjalë të them sot! Ne të dy, nuk do jemi më krah më krah , ne të dy nuk do ulemi më shtruar në biseda të gjata, ne të dy nuk do qeshim më hareshëm si dikur!” shkruan Koka në Facebook.

Duke ngritur lart vlerat humane të mikut të tij, Koka i bën një premtim, duke i thënë të mos shqetësohet për fëmijët pasi do të kujdesen ata. Më poshtë gjeni të plotë postimin e Lefter Kokës në rrjetet sociale.

Edhe kryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe nënkryetarja Monika Kryemadhi kanë shprehur dhimbjen e tyre për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gjovalin Kadelit.

Postimi i plotë i Lefter Kokës

Lamtumirë Gjove, Lamtumirë mik i zemrës!
Nuk kam fjalë të them sot! Ne të dy, nuk do jemi më krah më krah , ne të dy nuk do ulemi më shtruar në biseda të gjata, ne të dy nuk do qeshim më hareshëm si dikur! 
Dhimbje e madhe për mua, dhimbje e madhe për të gjithë ne! Ike shpejt duke na lënë pas në dëshpërim e plagë të thellë, që as koha nuk do t’i shërojë dot. 
Fëmijët e tu do të jenë përherë krenarë, për babain e përkushtuar, njeriun e respektuar me kurajo dhe plot dinjitet! Mos rri me kokën pas, fëmijët e tu kanë ne, Gjove i dashur!
E dhimbshme ikja jote e parakohshme, por Zoti të desh pranë! T'u prehtë shpirti në paqe, e na ruaj e beko nga atje lart! 
Lamtumirë i shtrenjti Mik! Nuk do të të harrojmë kurrë !