Çfarë ka për t’ju thënë prindërve të vogëlushëve të shkollës “Marie Kaçulini” kandidatët socialistë për deputetë që do t`ju kërkojnë votën në zgjedhje?

Strukturat që e kishin për detyrë ndërtimin e shkollës, dështuan një pas një, se nuk e kanë mendjen tek ndërtimi i saj, por tek fushata elektorale! Opozita në Durrës ka rënë në një gjumë të thellë letargjik, që nuk ka zot që e ngre prej andej dhe aq më pak për problemet me të cilat përballen çdo ditë qytetarët durrsakë!

Pas shumë vitesh kërkesash të vazhdueshme, bashkia e Durrësit i hapi dritën jeshile ndërtimit të shkollës “Marie Kaçulini”, ndër më të mëdhatë në Durrës, duke akorduar fondin prej 860 milionë lekësh për këtë projekt.

Lajmi ishte i shumëpritur nga stafi pedagogjik, nga nxënësit dhe nga prindërit e tyre.

Kishte vite që nuk ndërtohej asnjë shkollë e re, e fundit ishte shkolla e mesme në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Bashkia e tenderoi dhe shpalli fituesin, por pa marrë më herët lejen arkeologjike.

Kërkesa e bërë në ministri zgjati plot katër muaj që të miratohej që në shkollë të nisnin punimet.

Në të njëjtën mënyrë u veprua edhe me projektin “Veliera”. Edhe aty firma i nisi punimet pa marrë lejen arkeologjike, madje vetëm kur nisën gërmimet u kujtuan që objekti në zemër të Durrësit nuk ishte pajisur me leje.

Por në projektin “Veliera” nuk u ndërprenë asnjë ditë të vetme punimet, asnjë moment, pavarësisht se pati protesta e vendime gjykate. Mos përfundimi në kohë i projektit “Veliera” kishte kosto të madhe për bashkinë e qeverinë, ndërsa shkolla ka kosto për nxënësit dhe prindërit e tyre.

Investim publik si projekti “Veliera” është edhe ndërtimi i shkollës “Marie Kaçulini”.

Ministrisë së Kulturës ju deshën katër muaj që të firmosnin shkresën për të lejuar prishjen e themeleve dhe hedhjen e themeleve për një shkollë të re.

Përveç medieve dhe mësuesve apo prindërve të nxënësve të shkollës, askush tjetër nuk foli.

Zonja Lindita Muka që drejton DAR Durrës nuk lë asnjë rast pa dalë në media, qoftë edhe për aktivitete krejtësisht të parëndësishme për nga rëndësia e tyre.

Zonja Muka asnjëherë në këto muaj nuk e ngriti zërin se çfarë po bëhet me shkollën e rreth 1100 fëmjëve të Durrësit, institucion që ajo e ka në varësi. Edhe stafi i kësaj shkolle ka votuar që Muka të jetë drejtoreshë e Drejtorisë Arsimore të Durrësit.

Bashkia aq më pak nuk e ngriti asnjëherë zërin për t’i thënë ministres se çdo ditë vonesë për firmosjen e lejes përkthehet në vonesa për nisjen e punimeve për shkollën e re dhe njëkohësisht vonesa për nxënësit për t’u rikthyer në shkollën e tyre.

Ministrja e Kulturës sikur një ditë të vetme të mendonte për të mbledhur strukturat e për të vlerësuar situatën e kësaj shkolle, bllokimi i punimeve nuk do të zgjaste katër muaj.   

Edhe bashkia e Durrësit nuk u shqetësua aspak për bllokimin e punimeve për 4 muaj, sepse në fund të fundit ata që humbin nga këto vonesa janë nxënësit dhe mësuesit që e bëjnë mësimin me dy turne.

Neglizhenca e këtyre institucioneve nuk rëndon situatën vetëm për nxënësit e kësaj shkolle. Në fund janë prindërit e tyre dhe mësuesit e shkollës ata që do të bëjnë diferencën me votë.

Fëmijëve kur i nxorën nga shkolla ju thanë që në Shtator do të ulen në bankat e reja, në klasat e reja e në një shkollë të re moderne.

Shtatori vjen shumë shpejt, pas vetëm gati 3 muajsh. Çfarë do t’u thuhet nxënësve në nisje të vitit të ri arsimor? Apo gënjeshtra e rradhës…?!

K.H.