Që përlasja midis PS-së dhe LSI-së, në këtë prag fushate është e madhe kjo është e padiskutueshme, por kjo përplasje që më së shumti ka në themel përputhjen e votave në secilën parti ëhstë reflektuar dukshëm edhe në bazë, aty ku për katër vjet dy partitë kanë treguar se bashkëjetojnë.

Rasti i përplasjes më të fundit është vërejtur në drejtimin e Agjencisë së Legalizimeve.

Pas kandidimit të Flamur Gjuzit në listën e LSI-së për deputet të qarkut Durrës, ky i fundit është larguar nga kjo detyrë me nisjen e fushatës elektorale.

Të martën më datë 23 maj, një prej përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t, mbërriti në zyrat e ALUIZNI-t Durrës dhe prezantoi para administratës drejtor të komanduar deri në datën 26 qershor nëndrejtorin e kësaj zyre Gerti Aleksi. Gerti Aleksi është përfaqësues i PS-së, çka e la të pakënaqur LSI-në në qytetin bregdetar e cila e drejtonte këtë agjenci prej tetorit të 2013-s me Flamur Gjuzin.

Çudia ndodhi një ditë më pas.

Më datë 24 maj, një tjetër ekip i ALUIZNI-t nga Tirana mbërriti në agjencinë e Durrësit duke liruar nga detyra drejtor të komanduar Gerti Aleksin, e duke emëruar në këtë detyrë Elvis Pengilin, i cili ka mbajtur detyrën e shefit të verifikimit të pronave, përfaqësues i LSI-së në qytetin bregdetar.

Burimet zyrtare saktësojnë se zëvendësimi i drejtorëve është bërë vetëm përkohësisht, deri në përfundim të zgjedhjeve.

Nëse kandidati i LSI-së Flamur Gjuzi i cili gjendet i treti në listën e deputetëve, nuk e fiton mandatin e deputetit, ka të drejtën për t’u rikthyer në detyrën e tij të mëparshme.

K.H.