Ministrja e re e Financave Helga Vukaj, gjatë një inspektimi në Degën Doganore Durrës, kërkoi nga administrata doganore të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet zgjedhore.
Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskale dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale.
Ajo paralajmëroi gjithashtu masa administrative dhe ndjekje penale për çdo punonjës që shkel ligjin. Kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një plan-veprimi për një reagim të shpejtë dhë të koordinuar me Policinë Kufitare.
Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, të dy emra të propozuar nga Partia Demokratike, të emëruar në postet përkatëse pas marrëveshjes Basha-Rama.





