Në Durrës nuk janë të pakta rastet, kur persona të ndryshëm, kryesisht prindër, i drejtohen policisë për ndihmë për të gjetur fëmijët e tyre të larguar nga shtëpia.
Por ditën e shtunë, policët e komisariatit të Durrësit janë habitur kur kanë dëgjuar rrëfimin e një 61-vjeçari, shtetasit F.K. që ka denoncuar largimin e kunatit jo pak por 10 vite më parë.
“Më datë 20.05.2017, shtetasi F.K, vjeç 61, banues në Durrës, kallëzon se para 10 vjetësh i është larguar nga banesa kunati, shtetasi Y.Sh, vjeç 44. Punohet për gjetjen e tij. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës” thuhet në njoftimin e policisë.
Blutë e Durrësit nuk japin informacion më të hollësishëm, sidomos lidhur me shkakun që ka shtyrë familjarët e shtetasit Y.Sh. ta denoncojnë kaq vite më pas largimin e tij nga shtëpia.





