Lefter Koka në takimin me banorët e Plazhit në lagjen 13, u ndal në dy problematikat madhore të kësaj zone, shndërrimi i zonës në një zonë pa turistë si dhe rruga e plazhit që po rikonstruktohet nga Bashkia pa asnjë kriter.

Koka theksoi në krye të fjalës së tij se në të gjitha drejtimet, çdo qytetar durrsak po sheh se si po shkohet drejt degradimit. Ai theksoi se kësaj zone mund t’i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm.

“Nuk besoj që kjo zonë sot është më cilësore dhe kualitative se disa vite më parë. Durrësi jonë nuk është më ai Durrës i cili është atraktiv për të ftuar vizitorë të huaj apo për ta bërë atraktiv dhe për shqiptarët zonë të frekuentueshme. Është e patolerueshme ta mendosh sot që mijëra biznese, aktivitete që janë ndërtuar në këto 4.2 km vijë bregdetare të transformohen për të mbijetuar, më shumë i sheh të mbyllura dhe me pluhur se sa i sheh në aktivitet.

Nëse do të rivitalizohej bregu i detit, unë besoj që kjo do të rikthejë një zonë ashtu si ka qenë turistike. Pesimizmi është gjëja më e keqe dhe unë besoj sot teknologjia, arkitektura, inxhinieria, çdo gjë e ndërtuar dhe gabim mund ta bëjnë arkitektët, të duket sikur është bërë në mënyrë të qëllimshme sikur është bërë ashtu në atë formë dhe mund të rregullohet. Ka shumë qytete në botë dhe po të shkosh në Valencia apo në botë, janë ndërtuar në mënyrë të pakontrolluar siç është ndërtuar dhe zona e plazhit. Sot nuk është meritë dhe vetëm për të prishur ndërtime. Sigurisht, mund të ketë nevojë, domsdoshmëri për t’u ndërhyrë për një gjë, e cila shërben për të gjithë komunitetin. Për të ndërtuar, për të bërë diçka që i shërben, për të ndërtuar një shkollë, një kopsht, por qëllimi i parë është si ta rivitalizosh atë investim të kryer nga cilido qoftë ai, ai është një investim i kryer nga një individ i këtij vendi, i këtij qyteti dhe pastaj gjëja e thjeshtë është të përdorësh forcën e pushtetit dhe të përdorësh fadromat për të shkatërruar. Dhe këto janë ide dhe nisma që bëjnë ndryshimin. Dhe kur them këtë që ju thashë, bën 12 mln euro, ky investim, bën 12 mln euro.”

Më tej, Ministri Koka tha se: “Është e kotë që të vazhdojmë e të konsumojmë para me aksin kryesor rrugor, nevoja imediate është të merremi me detin. Në mund t’i marrim detit një gjatësi në 100 m apo 50 m, në mund ta mbjellim të gjithë pjesën ekzistuese të rërës me pemë të ndryshme, në mund të bëjmë një trotuar ku mund të kalojnë vetëm ambulancat dhe të jenë të disiplinuara ujërat e zeza përballë banesave, ky do të bëhej golfi më cilësor ndoshta në rajon nga Agipi deri në Karpen”.

Gjatë takimit, u bë prezantimi i disa prej kandidatëve të LSI-së për qarkun e Durrësit, Edlira Hyseni, Flamur Gjuzi, Xhojana Gjineci dhe Arb Shtylla.