Në shëtitoren “Taulantia” aty ku të gjithë durrsakët bëjnë xhiron e mbrëmjes, është gjetur një predhë që dyshohet se i përket Luftës së Dytë Botërore. Predha është gjetur nga punonjësit e Pastrim Gjelbërimit të qytetit pranë monumentit të ushtarit të panjohur. Sipas specialistëve, ajo është një predhë e kalibrit të rëndë që i përket artilerisë së Luftës së Dytë Botërore.
Me të marrë informacion nga punëtorët, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e policisë bashkiake, që kanë vënë në ruajtje objektin e rrezikshëm. Po kështu, në vendngjarje shkuan edhe punonjësit xhenierë, të cilët bënë transportimin e saj drejt poligonit të Porto- Romanos.
Bregdeti i Durrësit tregon se ky qytet ka qenë arenë luftimesh për pozicionin e tij strategjik të rrugëve detare.
Kjo është predha e tretë e gjetur në një perimetër të afërt, pasi pak muaj më parë dy predha që dyshohet të Luftës së Parë Botërore u zbuluan gjatë gërmimeve te sheshi “Veliera”.
K.H.





