Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën pas një operacioni në gju 15-vjeçarja Bleta Pepa, policia e Tiranës ka nisur procedimin penal për tre mjekët e spitalit privat “Continental”.
Sipas Policisë, bëhet me dije se tre mjekët Jovan Kosta, Tefik Zhurda, i cili tentoi të vetëvritej dhe Moeibus Ulf do të ndiqen penalisht, pasi akuzohen për mjekim të pakujdesshëm.
Ngjarja e cila shokoi mbarë opinionin publik ndodhi mbrëmjen e së hënës në spitalin privat “Continental”.
Adoleshentja ishte shtruar në spital për një ndërhyrje kirurgjikale në meniskun e gjurit, pasi u dëmtua në orën e fizkulturës, por ajo ndërroi jetë, pasi diçka nuk shkoi mirë, e cila do të zbulohet pas hetimeve dhe ekspertizave mjeko-ligjore.
Pasditen e së martës spitali privat nxori një njoftim ku thuhej se Pepa ka humbur jetën për shkak të një komplikacioni të quajtur Hipertermia Maligna (për më shumë, lexo këtu).





