Gjashtë kg eksploziv të ndara në 30 kallëpe dhe 29 kaspolla detonatore me fitil zjarrpërcjellës janë sekuestruar nga policia, ndërsa janë vënë në pranga 4 persona, mes të cilëve edhe një grua, të gjithë banues në Burrel.

Është ky bilanci i operacionit të koduar “Saga” të zhvilluar nga Specialistët e Sektorit të Krimit të Organizuar në Durrës.

Pas informacioneve të marra nga Strukturat Policore dhe një pune hetimore të mirëorganizuar, katër personat e arrestuar u kapën me kallëpe eksplozivi në çanta.

Policia njofton se ka vënë në pranga shtetasit Vjollca Sorra 42 vjeçe, Edmond Demiri 32 vjeç, Robert Doku 30 vjeç dhe Viktor Hanaj 33 vjeç.

Arrestimi i tyre u bë ditën e djeshme në Fushë-Krujë, ku në bazë të informacioneve që dispononin Specialistët e Trafiqeve, i ushtruan një kontroll fizik të arrestuarve, dhe në çantat e tyre i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• 30 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse eksploziv me peshë rreth 6 kg;

• 29 copë kapsolla detonatorë, ku 13 prej tyre ishin të përgatitura me fitil zjarrpërcjellës;

• 4 aparate telefoni celular;

• një mjet tip “Benz”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” në bashkëpunim.