Policia e Durrësit ka dhënë detajet e para rreth plagosjes që ndodhi herët në mëngjes në një lokal në Krujë.

Sipas policisë, shkak i ngjarjes që precipitoi deri në përdorimin e armëve, ishte një konflikti çasti për motive të dobëta mes autorit dhe 2 të plagosurve.

Autori që është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga policia, ka nxjerrë një pistoletë TT, me të cilën ka qëlluar mbi shtetasit Ramazan Shullazi 55 vjeç dhe Genc Goga 30 vjeç, të dy nga Kruja. 30-vjeçari ka marrë një plagë të lehtë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gjendja e 55-vjeçarit paraqitet më e rëndë.

Ngjarja ndodhi në një lokal pranë stadiumit të qytetit.

Njoftimi paraprak i policisë:

Më datë 17.05.2017, rreth orës 06: 45, në ambientet e një lokali, tek një karburant, në afërsi të stadiumit, Krujë, pas një konflikti çasti, për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri- tjetrin disa shtetas.

Si pasojë, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit R.Sh. rreth 55 vjeç dhe G.G.(plagosur lehtë në dorë) rreth 30 vjeç, banues në Krujë.

Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë ku shtetasi R.Sh. ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi G.G. është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur arma e zjarrit tip pistoletë TT dhe një gëzhojë.

Policia e Krujës ka identifikuar menjëherë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij.