Nga Martin Leka

Lexova për një bashkëbisedim që Majlinda Bregu, deputete e Partisë Demokratike, ka pasur me disa studentë të Universitetit Europian të Tiranës. Pyetjes nga auditori nëse do të largohej nga Partia Demokratike, Majlinda i është përgjigjur me një batutë, duke përmendur një bisedë që kishte bërë me deputeten e PDIU-së Mesila Doda, në atë kohë deputete e Partisë Demokratike. “Qenka më e lehtë të lësh burrin sesa partinë!”, i ka thënë asokohe Mesila, Majlindës. Unë, edhe pse pa parti, jam në gjendje të kuptoj afeksionin që ka njeriu i lidhur fort me një forcë politike. Aty ndërthuren ide, njerëz, pasione, interesa, emocione, polemika, është dhe ndodh pak a shumë si në një familje të madhe. Ndaj, i mirëkuptoj të dyja deputetet në kontekstin e përgjigjes së Majlindës në auditor me batutën e Mesilës. Unë do ta mbyll këtë shkrim po me një batutë, por gjer atje do mundohem të them dy-tri gjëra në lidhje me “divorcet” (me partitë, jo me bashkëshortët) e eksponentëve dominantë në politikë.

Që prej pluralizmit politik në fillim të viteve ’90, në partitë shqiptare ka pasur jo rrallë ikje prej tyre. Ka pasur prej tyre ikje “karagjoze” si ajo e Rexhepit (as emrin s’ia mbaj mend nga Partia Socialiste, gjer tek ikje serioze e të bujshme, si ajo e një elite intelektualësh si Gramoz Pashko, Teodor Keko, Neritan Ceka, Arben Imami, Prec Zogaj, Shahin Kadare, Arben Demeti etj., nga Partia Demokratike. Më të freskëta kemi ikjet nga Partia Socialiste të Ben Blushit e Mimoza Hafizit, apo dhe të Koço Kokëdhimës. Pyetja që shtrohet është thelbi dhe konkluzioni i temës që analizohet: a dhe sa u dëmtuan partitë nga këto ikje?

A u bënë më demokratike, apo e kundërta ndodhi me këto divorce?!… Mendoj që, përveç një konfigurimi me një mozaik me më shumë ngjyra (parti), edhe kjo demokratike sigurisht, nuk besoj se partitë e mëdha u demokratizuan, përkundrazi. Madje, ato as u dobësuan në shkallën që pritej. Sepse, po të marrësh për bazë kapacitetin intelektual, kontributin në pluralizmin politik, kohën, idetë dhe popullaritetin që gëzonin Pashko, Keko, Ceka, Imami, Zogaj, Kadare, Demeti etj., të krijohej përshtypja se Aleanca Demokratike që ata krijuan në fund të vitit ’92 do të copëtonin në dysh partinë që vetë e themeluan dy vite më parë. Kjo nuk ndodhi, madje pothuaj të gjithë këta, sot janë ende eksponentë realë të partisë nga ku themeluan, erdhën, ikën dhe u rikthyen përsëri. Në thelb ata kërkuan demokratizimin e partisë: ikje nga autoritarizmi, përmirësim i qeverisjes etj. Po të gjykosh me qetësi e të analizosh me argumente, si këta që përmendëm më lart, si të tjerë pas tyre në parti të tjera, nëse do të luftonin brenda partive të tyre me idetë, nismat, programet, do t’i bënin ato vërtet më demokratike. Sigurisht, për ata personalisht nuk do të ishte e lehtë, por kauzat dhe idetë e tyre do të kishin prodhuar një vlerë, e cila do të përkthehej në produkt për të gjithë, të majtë e të djathtë e të paparti. Le të kthehemi në realitetin e sotëm. Si do të ishte më mirë një PD me Jozefina Topallin, me Majlinda Bregun, me Eduard Selamin, apo një PD pa këta? Sigurisht, më e mirë me këta, bashkë me debatet dhe idetë e tyre. Si do të ishte më mirë, një PS me Ben Blushin e Mimoza Hafizin, apo pa këta? Sigurisht, më e mirë me këta. Si do të ishte Partia Demokratike, duke pasur në Parlament e në struktura Mesila Dodën, apo pa të? Sigurisht, më e mirë do të ishte sot!

Sepse partitë, e bashkë me to edhe vetë demokracia, do të ishin më të mira me zërat ndryshe, me idetë ndryshe, me debat civil dhe gjuhën e argumentit në vend të forcës, dashurisë e mirënjohjes në vend të urrejtjes.

Por ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe dhe që duhen respektuar, pa dyshim. Kur kjo që po mundohem të them, pra zhvillimi i debatit e ideve brenda partive, bëhet i pamundur, çfarë duhet bërë? Sërish duhet luftuar. Mendoj se duhet luftuar me më shumë guxim, forcë e besim se gjuha e urrejtjes, e falangave, e mediokritetit, duhet mundur pikërisht nga gjuha e argumentit, e qytetarisë, e dijeve. Shpurës së udhëheqësve e udhëheqjes së partive që nuk respektojnë rregullat, statutet, mendimin ndryshe brenda strukturave të tyre, atyre që herë me indiferentizëm, herë me mospërfillje gjer në denigrim, herë me autoritetin fals dhe Unin e pangopur krijojnë situatë që “brejnë” e “gërryejnë” partitë me qëndrimin e tyre ndaj zërave ndryshe, u duhet vënë fre. Pikësëpari nga demokratë të vërtetë e njerëz të ditur dhe që nuk u mungon vullneti politik e qytetar, sidomos nga njerëz si Majlinda, si Jozefina, si Mesila, si Eduardi, si Beni, si Mimoza…

Në fund le të kthehemi te fillimi i temës për të cilin po flasim. Ikja e eksponentëve të spikatur nga partitë, sigurisht, pavarësisht masës, i dëmton ato. Sa më të dobëta të jenë partitë, aq me vulnerable dhe e dobët është edhe vetë demokracia. Ndaj, Majlinda e Jozefina, Ed Selami, le të luftojnë aty ku janë. Edhe Mesila kështu duhej të bënte. “Më mirë të kishte lënë burrin sesa partinë”. Për të mirën e demokracisë! (edhe të burrit)…

/Panorama/