“Ne presim të ketë një marrëveshje që të gjitha forcat politike të shkojnë në zgjedhje, për t’iu dhënë mundësinë shqiptarëve të votojnë dhe të zgjedhin”. Kështu u shpreh Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me Forumin e Gruas të PDIU-së në Fier, për zgjedhjet e 18 qershorit. Në këtë takim ishte e pranishme deputetja Mesila Doda, kryetarja e Forumit të Gruas të PDIU-së Vjollca Braho, si dhe kreu i PDIU-së në Fier, Nustret Avdullai.
Idrizi u shpreh se dy forcat e mëdha politike nuk duan të bëjnë marrëveshje, por kanë zgjedhur konfliktualitetin, teksa shtoi se gratë mund të gjejnë një zgjidhje për krizën aktuale.
“Unë jam i bindur që dy forcat politike nuk duan të bëjnë marrëveshje, ato duan ta mbajnë këtë vend në konfliktualitet. Duan që të na ndajnë në tifoz dhe harrojmë që ne jemi të gjithë shqiptarë. Konfliktualiteti është instaluar prej 27 vjetësh në politikën shqiptare, në mënyrë që qytetarët, që ju zonjat e nderura, të mos kuptoni cilat janë hallet dhe të mos kuptoni cili është roli i politikës. Nëse do uleshin drejtueset e forumeve të grave, patjetër që do ta shmangnin konfiktualitetin politik që ka mbërthyer Shqipërinë”, tha ndër të tjera Idrizi.





