Hoze Murinjo kërkon Romelo Lukakun për sulmin e Mançester Junajtid, teksa sulmuesi belg shihet si zëvendësuesi ideal i Ibrahimoviç.

Për të arritur tek ai, klubi anglez po mendon të afrojë Uejn Runin dhe para, por kjo lëvizje duket e vështirë, pasi sulmuesi i “djajve të kuq” përfiton aktualisht një pagë prej 15 milionë eurosh bruto.

Në artikullin e “Daily Mail” raportohet se paga që Evertoni i ofron Runit nuk shkon më shumë se 9 milionë euro.

Nga ana tjetër, edhe shuma prej 118 milionë eurosh që skuadra angleze kërkon për Lukakun është shumë e lartë, por tregu i tillë është, teksa sulmuesi ka pasur oferta “të majme” nga Kina, por edhe Çelsi kërkon të rikthejë në skuadër për të marrë vendin e Diego Kostës.

Për Runin, kalimi te Evertoni do të ishte një rikthim pas 13 vitesh në Liverpul, aty ku ai spikati fillimisht si futbollist, për t’u transferuar më pas te Mançesteri.