Më datë 9 maj 2017, Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve, Shërbimit Veterinar dhe Emergjencave Civile të Bashkisë së Durrësit ka zhvilluar dy dëgjesa publike me qëllim prezantimin e shërbimeve dhe investimeve kryesore që Bashkia ka parashikuar të zbatojë në kuadër të buxhetit afatmesëm 2018-2020 për programin “Bujqësia, Pyjet dhe Kullotat”.
Kështu, sipas axhendës, dëgjesa e parë publike është zhvilluar në Njësinë Administrative Manëz. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të pranishëm fermerë, përfaqësues të administratës së dy Njësive Administrative Ishëm dhe Manëz, kryetarë të fshatrave etj. Ndërsa, dëgjesa e dytë publike është zhvilluar në Njësinë Administrative Rrashbull, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Njësive Administrative Rrashbull, Katundi i Ri e Sukth, fermerë dhe përfaqësues nga Shoqata e Përdoruesve të Ujit për ujitje, kryetarët e fshatrave dhe aktorë të tjerë.
Gjatë dëgjesave publike, në pjesën e parë, Enver Maloku, Drejtor i Drejtorisë, informoi pjesëmarrësit lidhur me qëllimin e dëgjesës publike për bujqësine dhe pyjet si dhe rëndësinë e kësaj të fundit. Ndërsa, Luan Gaxhenji, Specialisti për bujqësinë, foli mbi synimet dhe objektivat e Sektorit të Bujqësisë ndër të cilat përmendi: nxitjen e interesit për shtimin e prodhimit bujqësor, përmirësimin e eficencës të infrastruktures së ujitjes dhe kullimit, zhvillimin e politikave promovuese në përmirësimin e imazhit dhe marketimin e produkteve bujqësore lokale, investimet në teknologjinë bujqësore etj.
Më pas, takimet kanë vazhduar me prezantimin e Specialistit të Pyjeve dhe Kullotave Ing. Ardian Mërdita, i cili informoi pjesëmarrësit mbi administrimin dhe menaxhimin e pyjeve dhe kullotave si dhe parashikimet e bëra në buxhetin e Bashkisë 2018-2020. Sipas Ing. Mërdita, konkretisht janë parashikuar investime për përmirësimin e 155 ha pyje dhe kullota si dhe 320 metra linear sistemime. Gjithashtu, investime parashikohen të bëhen dhe nga projekti i shërbimeve mjedisore si regjistrimi i pyjeve dhe kullotave, projekt ky i cili ka filluar në disa Bashki dhe pritet që së shpejti të fillojë të zbatohet edhe në Bashkinë Durrës.
Gjithashtu, gjatë takimeve u ngritën disa çështje për diskutim, kryesisht në lidhje me rritjen e investimeve për pastrimin e kanaleve kulluese, ngritjen e policisë agrare, ruajtjen e prodhimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis fermerëve, rritjen e investimeve për rrugët e kalimit si dhe mbikalime kanalesh etj.





