Pas ngacmimeve e thumbimeve të bëra ngas Roza Lati në drejtim të Aurela Hoxhës e thumbimeve të tyre në Instagram me postime të ndryshme, në një intervistë për “Shekulli”, Aurela ka folur zyrtarisht dhe ka mohuar problemet mes dy vajzave.

Hoxha u shpreh se “nuk ka kontakt me atë vajzë” dhe se gjithkush mund të thotë mendimet e tij pozitive apo negative. Ajo shton se nuk ka reaguar kurrë ndaj të tilla ngacmimeve.

Sa i takon pushimeve të bujshme në Maldive, vajza e akuzuar së shumti për silikonizim të trupit të saj, ka treguar edhe se nga kush ka qenë e shoqëruar. Nëse të gjithë kanë menduar se bëhet fjalë për ndonjë mashkull, Aurela ka surprizuar. Ka qenë me mikeshën e saj, Dorina Memën dhe ky ka qenë një lloj zhgënjimi edhe për atë vetë, duke qenë se në Maldive shkohet çift dhe jo me shoqen.

Gjeni më poshtë intervistën e Aurelës.

Aurela, cilat janë aktivitet tuaja të tanishme?

Aktualisht jam duke vazhduar me xhirimet e filmit “Bjeshkët e Nemuna”, i cili ende është në proces pune. Patjetër që menaxhoj agjencinë time të modës dhe linjën e rrobave të banjës, e cila këtë verë do të jetë më ndryshe se sa vitin e kaluar.

Përveçse një femër e bukur, jeni dhe e suksesshme në sipërmarrje, cili është çelësi i suksesit tuaj?

Nuk e di të them se cili është çelësi i suksesit deri më tani, pasi ende unë dua të bëj gjëra më të mëdha se sa kaq. Por, mund të them që unë çka kam sot dhe çfarë bëj sot e kam dashur që kur kam qenë e vogël. Puna e palodhur dhe këmbëngulja janë dy pika të cilat më kanë ndihmuar në rrugën time.

A keni një moto me të cilën zgjoheni çdo mëngjes dhe që ju motivon?

Në fakt nuk ka një moto specifike, mjaft të mos më japin me detyrim ushqimin që duhet të ha.

Çfarë ju sugjeron vajzave që duan të jenë të suksesshme në modeling dhe në biznes?

Vajzat që dëshirojnë të jenë pjesë e fushës së modës apo modelingut, duhet patjetër të punojnë me veten. Nuk mjafton vetëm të jesh e bukur në këtë fushë… Nëse shkojmë në rrugët e Amerikës mund të shikojmë shumë vajza të bukura, por vetëm disa janë të suksesshme. Duhet që të jenë të përgatitura për punë shumë për të arritur në një produkt final, i cili është i bukur. Edhe unë kur kam filluar, kemi qenë shumë vajza, disa patën rrugë të shkurtër e disa të gjatë. Tek ato që janë të suksesshme sigurisht që ka diçka që i diferencon krahasuar me të tjerat. Mendja, truri dhe përgatitja psikologjike janë shumë të rëndësishme. Kështu ti e përgatit veten drejt një rrugë e cila është e bukur por edhe e vështirë.

Aurela së fundmi në mediat jeni komentuar për “debatin në rrjetet sociale” që keni me Roza Latin, përse është krijuar ky tension mes jush?

Të ketë konflikt, apo tension kjo duhet të jetë nga të dyja palët, e nga ana ime nuk rezulton një gjë e tillë.  Në rastin konkret unë nuk e di përse jam lakuar, sepse deri më tani nuk kam asnjë kontakt më atë vajzë. Nuk i kam kthyer përgjigje pasi shumë personave nuk mund t’i ndalojmë të flasin, ndaj këtyre njerëzve unë jam indiferente. Ashtu sikurse në rrjetet sociale mund të ketë komente pozitive dhe negative, dhe unë nuk mund t’i kthej çdo kujt përgjigje. Edhe në këtë rast jam indiferente.

Të ndalemi pak tek Aurela jashtë “debateve” dhe profesionit, si e kaloni ju kohën e lirë? Çfarë ju pëlqen të bëni më së shumti?

Të udhëtoj më pëlqen shumë, sidomos deti. Nëse me le gjatë gjithë kohës atje mund të më gjesh. Shumë shpejt do të jem në një tjetër udhëtim. Me sportet nuk i kam marrëdhëniet shumë të mira, më pëlqen të eci, por në Tiranë e bëj rrallë. Jam bërë pak përtace këto kohët e fundit dhe në palestër nuk kam shkuar (qesh). Megjithatë bëj body code, këtë nuk kam për ta lënë asnjëherë.

Cili nga udhëtimet tuaja ka qenë më mbresëlënësi?

Të gjitha udhëtimet kanë qenë të bukura dhe të veçanta si ato për punë edhe ato për pushime. Por, mund të ndalem tek pushimet e bëra së fundmi në Maldive. Vendi ishte shumë i bukur, por unë nuk e kisha menduar që atje duhet të ishe çift, ndërsa unë isha me mikeshën time Dorinën (qesh). Gjithçka ishte e organizuar për çiftet dhe kjo ishte pak problem sa i thashë vetes “nuk kam për të ardhur më”. Por, kamarieri që e dëgjoi tha “ndoshta vjen po çift”. Gjithashtu, edhe udhëtimi në Tailandë ishte fantastik.

Si janë raportet tuaja me familjarët, sa e lidhur dhe sa kohë kaloni me to?

Shumë-shumë të mira. Kam dy vëllezër më të mëdhenj se unë dhe flasim gjatë gjithë kohës. Ata prej vitesh tashmë jetojnë jashtë, që të dy dhe kanë familjet e tyre e kjo bën që të mos takohemi shumë shpesh. Por, kur mua më krijohet hapësira fluturoj për tek ata. Edhe prindërit shpesh udhëtojmë, mami është mikja ime më e ngushtë.

Po me miqtë?

Me miqtë 24 orë. Unë kam shumë pak miq të ngushtë dhe kohën e kalojmë më së shumti bashkë. Në fakt them 24 orë se ashtu si miq jemi, edhe dalim pimë diçka për fani, edhe kur ka projekte në bashkëpunojmë.

Kur dikush mund ta humbasë si mikeshë, Aurelën?

Kur zhgënjehem atëherë unë e kam shumë të vështirë të të fal. Këtu nuk e kam fjalën për gabime pasi gabimi është njerëzor dhe falja është hyjnore, por për thyerje të besimit. Nëse kjo më ndodh me njerëzit më të afërt atëherë unë zhgënjehem dhe thyhet besimi.

Nga gjithë përvojat tuaja profesionale cilën e kujtoni si më të bukurën?

Unë e gjej veten shumë tek prezantimi dhe përvoja në këtë drejtim patjetër ka qenë shumë e veçantë. Gjithsesi të qenurit pjesë e modës, të qenurit në menaxhimin e një biznesi në veshjet e rrobave të banjos. Por aty ku unë jam Aurela është prezantimi, të tjerat sigurisht janë derivate.

A ka pasur momente në jetën tuaj kur mund të jeni ndjerë e lodhur nga gjithë aktivitet e punës e mund të keni thënë stop?

Po viti që kaloi, kjo jo sepse puna më lodh. Përkundrazi puna është shlodhja më e madhe, por e ndjeva të nevojshme që të jem pak qetësi duke i dedikuar kohë vetes dhe duke qartësuar idetë.

Çfarë ka frikë Aurela?

Vdekja dhe humbja e njerëzve të dashur më frikëson shumë. Janë të vërteta që ndodhin pavarësisht frikës që mund të ndjejmë. Më kujtohet që kur isha më e vogël, humba gjyshen me të cilën unë isha shumë e lidhur. Unë nuk e pranoja dot këtë gjë dhe për këtë fillova dhe lexova një libër i cili fliste pikërisht për frikërat që ka një njeri.  “Trupi vdes, shpirti kthehet” i Brian L. Weiss përkthyer nga Timo Flloko, një libër i cili më ka ndihmuar dhe më ka bindur në atë çka trajtonte.

Cilat libra preferoni më së shumti të lexoni?

Nëse me pyesni a jam duke lexuar tani, do ju gënjeja po t’ju thosha po. Leximin e kam pak me periudha dhe gjithmonë jam me parimin që kur e lexoj një libër apo bëj një punë unë dua të jem e fokusuar aty. Momentalisht shoh filma të ndryshëm. Si librat dhe filmat janë të drejtuar drejt temave pozitive, dashurisë dhe fundeve të lumtura.

Ju besoni në ligjin e tërheqjes, si e përdorni atë?

Po unë besoj në ligjin e tërheqjes dhe me të duhet të punosh. Unë nuk mund të them që të mendosh “unë do të bëhem një supermodele, apo e suksesshme” ndodh si me magji, pasi çdo kush duhet të punoj me veten. Ligjin e tërheqjes më së shumti e realizon subkosshienca jonë, jo ajo që ne themi në një moment të caktuar. Pasi ti mund të thuash, por janë kushtet apo situatat jetësore të tilla që ndikojnë më shumë në subkoshiencën tënde.

Aurela do të doja të ndaleshim pak në pjesën tuaj personale, kemi një dashuri të re?

Në këtë pikë nuk kam çfarë të ndaj, nuk jam në një marrëdhënie.

Si i kalon fundjavat Aurela?

Përgjithësisht më pëlqen shumë të udhëtoj. Kur jam në Shqipëri, do jem me familjarët apo miqtë e mi diku jashtë Tirane.

Nëse ndalemi pak tek moda, Aurela është më së shumti drejt bashkëkohores në stil apo…

Vitet e kaluara në linjat e rrobave të banjos kam qenë tërësisht vintage, por këtë vit jam kah modernes. Tashmë, plazhin dhe rrezet e diellit vajzat mund t’i marrin rehat sepse janë rroba banjo më të hapura.

Projektet tuaja… a do kemi ndonjë rikthim tuajin në televizion?

Jam natyrë që nuk më pëlqejnë planet, sepse nuk dua të zhgënjej vetën, por ta suprizoj. Në televizion ndoshta jam në bisedime më dikë, por ende është shumë herët për të folur për këtë pasi nuk kemi diçka konkrete.