Policia e Durrësit bën të ditur se një skaf në pronësi të një kompanie private është përfshirë nga flakët, një ditë më parë.
Sipas policisë, “tek Porti i ri i skafeve, ka rënë zjarr dhe si pasojë është dëmtuar në pjesën e sipërme skafi “Kappa”, në pronësi të nje firme private i cili ka qenë i ankoruar në vendbazim”.
Shkaqet e rënies së zjarrit nuk janë bërë ende të ditura, ndërkohë që mësohet se materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për vlerësim.
Tre ditë më parë, DurrësLajm raportoi se porti i ri i peshkimit në Durrës është marrë peng nga jahtet dhe skafet luksoze të ankoruara aty. Pas përfundimit të ndërtimit, kompania që realizoi projektin, nuk e ka dorëzuar ende portin, në të cilin, në vend që të ankorohen anijet e flotës së peshkimit, ankorohen jahtet e të pasurve shqiptarë.





