Një 53-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar nga policia italiane në Napoli, pasi dyshohet se merrej me shitjen e kokainës në zonën e Porta Nolana. Arrestimi u krye nga efektivët e komisariatit Vicaria-Mercato, gjatë kontrolleve të intensifikuara në territor. Policia dyshoi për 53-vjeçarin pasi e pa teksa i dorëzonte një dozë lënde narkotike një personi në zonën e Vico Gabella della Farina.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, sapo konstatoi praninë e uniformave blu, shqiptari tentoi të largohej me biçikletë nëpër rrugët e zonës. Ai u ndoq nga efektivët dhe u kap pak më vonë në Via Nolana. Sipas policisë, gjatë ndërhyrjes 53-vjeçari hodhi biçikletën në drejtim të efektivëve dhe kundërshtoi arrestimin, duke i goditur me grushte dhe shqelma.

Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan 34 doza kokainë, me peshë totale rreth 6 gramë, si dhe 120 euro, të ndara në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. I dyshuari, i cili ishte i njohur më herët për autoritetet, akuzohet për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik. Pas arrestimit, ai u dërgua në burgun e Poggioreale, ku do të qëndrojë në pritje të seancës për vleftësimin e masës së arrestit.