Pak ditë pas atentatit të ndodhur tek “Mbikalimi i Sukthit”, ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi ish-efektivi Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dauti, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se nga hetimet e bëra ka rezultuar se kohët e fundit i riu Dauti strehohej në një hotel luksoz, në qytetin bregdetar.

Sipas hetuesve të çështjes, për shkak të hasmërive që kishte, lidhur me një vrasje në qytetin e Vlorës pak vite më parë, Juxhin Dauti prej kohësh shoqërohej me eskortë. Marrja në pyetje e familjarëve të Juxhin Dautit pritet të hedhë dritë mbi personat që e ruanin atë dhe 38-vjeçarin Dalipaj. Gjithashtu, nga marrja në pyetje e të afërmve pritet të merret informacion se përse ditën e vrasjes ata lëvizën pa eskortë.

Ndonëse hetimet po vazhdojnë me intensitet, policia dhe prokuroria e Durrësit ende nuk kanë persona të dyshuar në lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e së martës. 

Hetuesit e çështjes pohuan se telefonat e gjetur në automjetin e viktimave janë duke u ekzaminuar për të parë e kontrolluar thirrjet telefonike të bëra prej tyre, para atentatit. Kompanive celulare u është kërkuar që në mënyrë urgjente të nxjerrin tabulatet telefonike.