Katër goditje pistolete të qëlluara nga një distancë e afërt. Dy plumba që e morën në këmbë, dhe ato fatale në kraharor. Kështu vdiq Gasper Reçi, 43-vjeçari shqiptar, teksa ishte duke shkuar në shtëpi.
Një pritë e studiuar mirë ajo e mbrëmjes së djeshme e ndodhur rreth orës 23.00 në rrugën “Simeri Crichi”, në Tor Vergata (Romë, Itali). Sepse sipas hetimeve të policisë, viktima, para se të ekzekutohej ishte duke ecur rrugës, teksa ndiqej nga një makinë tip “Smart”, raporton "La Repubblica".
Automjeti është afruar, Reçi u thirr, u kthye drejt makinës, e atëherë u qëllua me plumba. Ai përfundoi i shtrirë në tokë teksa makina u largua. Kur mjekët e autoambulancës shkuan në vendngjarje, Reçi kishte ndërruar jetë.
Alarmin e dha vajza e viktimës, e cila ishte duke e pritur të atin në shtëpi. Ajo dëgjoi të shtënat dhe kur doli në dritare pa një trup të mbuluar nga gjaku. Autorët e vrasjes janë në kërkim.
Pista më e mundshme e vrasjes, për hetuesit është ajo e larjes së hesapeve për pazaret e drogës. Reçi rezulton me precedentë të shumtë penalë në Itali, sidomos në mbajtjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Hetuesit janë duke marrë në pyetje të njohurit e viktimës dhe personat me të cilët ai kishte kontakte për të hedhur dritë mbi autorët e ekzekutimit të tij.





