Mëngjesin e sotëm është ndaluar nga shërbimet e Policisë Këlcyrë, shtetasi Bardhul Sadikllaraj pasi ka goditur me grushte në fytyrë shtetasin Ylli Lulo banues në Beduqas, Këlcyrë.

Mësohet se Sadikllaraj e ka goditur me grushte në fytyrë Lulon për motive të dobëta dhe ky i fundit është rrëzuar duke marrë dëmtime të rënda dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Nga shërbimet e Postës së Policisë Këlcyrë u bë ndalimi i shtetasit B. S., 51 vjeç, banues në fshatin Beduqas, Këlcyrë.

Ky shtetas, mëngjesin e datës 26.05.2021, ka goditur me grushte në fytyrë, për motive të dobëta, shtetasin Y. L., 65 vjeç, banues në fshatin Beduqas, i cili është rrëzuar dhe ka marrë dëmtime të rënda. 65-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.