Një person i dytë, është arrestuar lidhur me vrasjen e Kujtim Prengës, ish-oficer i Policisë Ushtarake, në Visselhövede të Gjermanisë, në 9 Janar të këtij viti.

Mësohet se në pranga është vënë një 24-vjeçar shqiptar, i cili është arrestuar në Amsterdam të Holandës. Ndaj tij rëndonte një urdhër-arresti për vrasjen në bashkëpunim të 46-vjeçarit Prenga.

Një ditë më parë, u njoftua nga autoritet gjermane arrestimi i një 22-vjeçari pranë Hanoverit. Ai ka pranuar pjesëmarrjen në vrasje.

Ndërkohë, një tjetër person u ndalua në Amsterdam, por u lirua më pas.

Vrasja, sipas organeve hetuese gjermane, ka ndodhur për gjakmarrje, pasi në vitin 2011, Kujtim Prenga, i cili asokohe punonte si badigard i një lokali në Kamëz, ka vrarë gjatë orarit të punës, me armën që e mbante me leje të organeve kompetente, Armando Frrokun.

Kujtim Prenga është ekzekutuar me armë zjarri përpara syve të vajzës së tij, gjatë paradites së 9 janarit. 46-vjeçari u qëllua pranë një shkollë fillore.

Dy persona të armatosur të cilët lëviznin me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar shqiptarin në sy të vajzës. Pas kësaj, autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa Prenga, u transportua me urgjencë në spital, ku humbi jetën.

Policia ka gjetur më pas të braktisur, motorin tip ‘Kawasaki’, me të cilën autorët kryen vrasjen.