Policia ka arrestuar 5 persona si dhe ka proceduar penalisht 5 të tjerë pasi janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, nga shërbimet e Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Astrit Lepuri, 39 vjeç, banues në Kurbin dhe Elidon Vorfi, 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë kapur duke kultivuar në kubikë fidanë kanabis sativa në fshatin Xhuxhë të Mirditës.
Ndërkohë për këtë rast janë proceduar: Nikoll Kola, me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi Shkurt Marku, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.
Nga ana tjetër në operacionin e dytë janë arrestuar në flagrancë: Nikolin Krepi, 32 vjeç, Arjon Marku, 31 vjeç dhe Gjon Krepi, 38 vjeç, banues në Lezhë.
Këta persona janë kapur duke kultivuar fidanë narkotike të mbjellë në kubikë, në fshatin Gziq, Njësia Administrative Orosh, Mirditë.
Po ashtu janë proceduar Pashk Lleshi, me detyrë kryetar i fshatit Pshqes, Gjovalin Laska, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh, Bardhok Ndreca, me detyrë Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.





